Rritet me 100 lekë taksa e televizorit
Qeveria ka vendosur që të rrisë me 100 lekë taksën e televizorit. Tashmë kjo taksë do të jetë 600 lekë dhe jo më 500 lekë, siç ishte më parë. Sipas një udhëzimi të Ministrisë së Financave, kjo tarifë llogaritet dhe paguhet nga përdoruesit familjarë vetëm për një marrës televiziv, pavarësisht nga numri i aparateve që kanë në familje. Pra e thënë ndryshe, edhe pse një familje mund te ketë tre televizorë në shtëpi, taksën do të paguajë vetëm për një, pra vetëm 600 lekë. Ndërsa për përdoruesit e tjerë jo familjarë, kjo tarifë paguhet për çdo aparat televiz. Kjo taksë paguhet vetëm një herë në vit. Pagesa e kësaj duhet të kryhet pranë zyrave të operatorit të sistemit të shpërndarjes, pra atje ku paguhen edhe faturat e energjisë elektrike. "Me vjeljen e kësaj tarife, ngarkohen zyra e pagesës së energjisë elektrike. Vjelja e kësaj tarife duhet të bëhet brenda tremujorit të parë të çdo viti. Faturat tatimore të energjisë elektrike OSSH në tremujorin e parë të vitit fiskal do të kenë në fund një zë me vete, tarifën e shërbimit për përdorimin e aparateve televizivë sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave", thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Financave. Ndërkohë mbi tarifat e shërbimit të përfshira në këtë udhëzim, nuk aplikohet TVSH-ja. Por sipas këtij udhëzimi, pagesat e tarifës vërtetohen për përdoruesit në librezën e pagesës së energjisë elektrike ku shënohet 'tarifa e paguar për vitin korrespondues, data e pagesës si dhe firma dhe vula e punonjësit të ngarkuar me vjeljen e kësaj tarife. Për shërbimin e kryer, operatori i sistemit të shpërndarjes përfiton 5 për qind komision të llogaritur mbi masën e tarifave që ka arkëtuar dhe ka transferuar në llogarinë përkatëse të thesarit.