E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afrohet nënshkrimi i kontratës për OSSH-në

Kontrata finale për shitjen e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes pritet të nënshkruhet brenda kësaj jave, bënë të ditur burime jozyrtare nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Pas pesë muajsh bisedime dhe ndryshime në bilancin e OSSH, të kryer me vendim qeverie të premten e kaluar, duket se blerësit janë të kënaqur të marrin kompaninë.

Qeveria hoqi borxhe dhe fatura të pashlyera me vlerë të përgjithshme prej 50 milionë eurosh, ndërsa transferoi asete të KESH-it tek OSSH me vlerë disa milionë euro të tjera, në një veprim që u konsiderua nga opozita si "mendjelehtësi" dhe "proces i korruptuar".

"Vendimi i para dy ditëve i qeverisë shqiptare ka ulur me më shumë se 50 për qind vlerën e Operatorit të Shpërndarjes. Borxhet i kalojnë KESH sh.a., asetet i kalohen OSSH dhe kështu me radhë ulen dhe detyrimet e OSSH", - deklaroi Andis Harasani, ish-drejtor i KESH-it dhe anëtar i Parlamentit për opozitën.

Gjiganti i Evropës Lindore dhe Juglindore për energjinë elektrike CEZ nga Republika Çeke ofroi 102 milionë euro për 76 për qind të aksioneve për OSSH-në në shtator të vitit të kaluar, në fund të një tenderi ku rezultoi oferta e vetme. CEZ mori përsipër edhe mbulimet e borxheve të OSSH me vlerë rreth 150 milionë euro, si dhe detyrimin për të investuar 200 milionë euro në katër vitet e ardhshme. Ndryshime të shumëfishta ligjore para tenderit i dhanë mundësi qeverisë të vijonte bisedimet dhe të ndryshonte thelbin e rezultatit të tenderit, pasi të ishte mbyllur ligjërisht. Ndryshimet e fundit në bilanc ulën borxhet e OSSH në masën 38 milionë euro, ndërsa anuluan detyrimet që kjo kompani i kishte ndaj KESH dhe OTS. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar është ankuar në lidhje me privatizimin e OSSH: "Ka një pranim të heshtur për të transferuar humbjet te KESH-i, me qëllim që të mos rritet çmimi i dritave", - tha FMN në një raport mbi Shqipërinë, duke kujtuar se zgjedhjet sjellin rrezik për stabilitetin në rastin e Shqipërisë. Qeveria nuk dëshiron të rrisë çmimin e dritave këtë vit për shkak të zgjedhjeve. Ajo ka deklaruar se ndryshimet në çmim do të bëhen në vitin 2010.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›