Bën kallëzim të rremë nga frika e gruas
Bën kallëzim të rremë për vjedhje, nga frika e gruas. Faik Dërstila, 24 vjeç, nga fshati Dërstilë i Komunës së Gjinarit është vënën nën procedim penal për kallëzim të rremë, pasi ishte paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut dhe kishte bërë kallëzim, duke pretenduar se dy djem të rinj i kishin grabitur 400 euro në afërsi të banesës së tij në lagjen "11 Nëntori" të Elbasanit. Fillimisht policia është hedhur në veprime konkrete për gjetjen e autorëve të vjedhjes, por ka zbuluar se e vërteta ishte krejt ndryshe. Burimet policore bëjnë me dije se 24-vjeçari i kishte shpenzuar paratë duke pirë me shokët në ditën e festës së grave dhe nga frika e bashkëshortes së tij kishte sajuar alibinë e vjedhjes. Materialet në ngarkim të Dërstilës i kanë kaluar prokurorisë së Elbasanit me akuzën "Kallëzim i rremë".