Ndalohen për dokumente false tre shtetas të Kosovës
Dy shtetas të Kosovës në pranga, një tjetër procedohet në gjendje të lirë për falsifikim dokumentesh. Tre të rinj janë penalizuar penalisht për falsifikim të letërnjoftimeve dhe dokumenteve zyrtare. Ndalimet janë bërë në Portin e Durrësit, ndërsa tre shqiptarët e Kosovës po tentonin të imbarkoheshin në tragetet e linjave detare Durrës-Bari. Burimet policore sqaruan se u arrestuan në flagrancë Nazmi Gashi, 32 vjeç nga Rahoveci dhe Ferat Aga, 26 vjeç nga Dragashi. Të dy u arrestuan ndërsa po tentonin të udhëtonin me tragetin "Tirrenia" të linjës Durrës-Bari. Gashi paraqiti një pasaportë dhe leje qëndrimi zvicerane që dyshohet të jetë e falsifikuar në datën e skadencës së saj, ndërsa Aga një pasaportë jugosllave që gjithashtu dyshohet të jetë e falsifikuar. Një tjetër i ri u la i lirë pas shoqërimit, ndërsa po verifikohet vërtetësia e dokumenteve të tij.