Tentoi të vriste dy veta, prangoset plaku
Një 71-vjeçar është mbyllur në qelitë e ftohta të policisë së Elbasanit, të dielën në mbrëmje. Mësohet se ai ka mbajtur një armë gjahu pa leje dhe me të ka dashur të vrasë fqinjin e tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mollas, rreth 40 kilometra larg qytetit të Elbasanit, rreth orës 19:00 të së dielës. Sipas burimeve zyrtare, 71-vjeçari Zarif Gjini, pas një konflikti pronësie me fqinjin e tij, ka hyrë në banesën e 51-vjeçarit K.Gjini me çifte në dorë për ta vrarë atë dhe djalin e tij 17-vjeçar, A.Gjini. Mësohet se ka qenë djali adoleshent që me shpejtësi ia ka hequr "gjyshit" armën nga duart dhe ka lajmëruar punonjësin e policisë së zonës. Policia ka arrestuar rreth orës 20 të moshuarin dhe prokuroria ka nisur ndaj tij çështjen penale nën akuzën "vrasje e mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtje pa leje".