Zbulohet arsenal armësh në shtëpi, arrestohen dy vëllezër
Predha kundërtank, kallëpe tritoli, automatikë, granata ofensive dhe defensive, fishekë automatiku dhe pistolete TT, armë automatike, krëhër me fishekë, pistoletë TT, fitila zjarrpërcjellës etj. Policia njoftoi se pas një aksioni të saj ka bllokuar një arsenal armësh, si dhe ka arrestuar zotëruesit e tyre vëllezërit Andi dhe Julian Shota, përkatësisht 23 dhe 26 vjeç. Arrestimi i dy të rinjve u bë mbrëmjen e kaluar. Pas një informacioni të marrë në rrugë operative se dy të rinj të armatosur po lëviznin me një "Volkswagen" blu, shërbimet e policisë bënë ndalimin e tyre dhe nga kontrolli gjetën në makinë një automatik dhe dy krehër me nga 30 fishekë secili. Pas kësaj u ushtrua kontroll në banesën e tyre ku u gjet dhe një arsenal i vërtetë armësh dhe municionesh.