E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afron sezoni, bie shitja e apartamenteve në plazhin e Durrësit



Afrimi i sezonit të ri turistik-veror, duket se ka sjellë edhe rënien e çmimeve të dhjetëra e dhjetëra apartamenteve të cilat prej 2 vitesh kanë mbetur “stok” në zonën bregdetare të Durrësit. Kështu, çmimi i një apartamenti në zonën e plazhit, por edhe në qytetin e Durrësit, për periudhën shkurt-mars 2009, duket se ka pësuar një ulje të ndjeshme. Shefja e Zyrës së Statistikës së Qarkut, Lida Prifti, tha: “Duket se afrimi i sezonit ka sjellë ndryshime të shpejta në tregun e shitjes së apartamenteve. Edhe pse plazhi i Durrësit është vetëm 6.5 km larg qytetit, ka nisur të preket një ndryshim i madh në tregun e shitblerjes së apartamenteve të banimit”.

Situata

Kështu, në zonën e plazhit, muajt e fundit kudo lexon tabela me mbishkrimet “Shiten apartamente me çmime të favorshme”, ndërsa në Durrës tregu megjithëse ka ecuri normale dhe njerëzit kërkojnë pallate të reja, pasi ka mjaft kërkesa për apartamente, sërish vërehet një ulje në blerje duke e krahasuar me disa muaj më parë. Zyrat imobiliare deklarojnë se “gjatë këtij sezoni shitja e apartamenteve në zonën e plazhit është në shifra tepër të ulëta si kurrë më parë. Kjo shpjegohet me mbipopullimin e plazhit të Durrësit, i cili tashmë i ngjan një qendre urbane me dendësi të madhe ndërtimi”.

Kjo ka bërë që pronarët e pallateve të detyrohen të ndjekin një manovër tjetër për çmime mjaft të ulëta, por që nuk u ka dhënë rezultate. Madje ka ndodhur një fenomen tjetër në plazh, mjaft prej atyre që kanë blerë shtëpi në zonën që shtrihet nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, kërkojnë t’i shesin përsëri ato.

Ndërtimet

Ndërtimet në zonën e plazhit dhe Durrës janë hapur si në anën e detit dhe matanë rrugës automobilistike. Pronarët e pallateve që kanë përfunduar së ndërtuari gjatë dy viteve të fundit, kanë qenë të detyruar që t’i nxjerrin ato në shitje me çmime të cilat arrijnë deri në 300 euro metri katror dhe lokalet nga 650 euro deri 700 euro metri katror. Megjithatë, shitjet kanë qenë tepër të pakta. Këtë e konfirmojnë si agjencitë imobiliare, ashtu edhe noterët, të cilët merren me procedurat e shitblerjes së banesave dhe lokaleve. Në plazh, që prej 2 vjetësh është krijuar stoku i banesave.

Janë rreth 1000 apartamente të pashitura. Shkaqet kryesore të stokut të apartamenteve janë: dendësia e madhe e ndërtimit, uzurpimi i sipërfaqeve të rërës së plazhit nga ndërtimet, zhurma e madhe që mbizotëron atje gjatë gjithë sezonit të verës, si dhe problemet e higjenës e pastërtisë, të cilat janë bërë shqetësuese. Ndërsa brenda në qytet, tabloja është krejt e kundërta e plazhit.

Çmimi i apartamenteve është në nivele të larta. Kështu, një metër katror sipërfaqe banimi kushton 550 deri 600 euro, ndërsa lokalet nga 1200 euro deri ne 2 mijë euro metri katror. Kjo situatë është krijuar, sepse në Durrës, në dy vitet e fundit është ulur në mënyrë të ndjeshme dhënia e lejeve të ndërtimit nga ana e KRRT-së së bashkisë si dhe është rritur kërkesa për banim.

Zona industriale

Nisi privatizimi i objekteve në Shkozet

Ashtu siç edhe premtoi Kryeministri Berisha në takimin që zhvilloi me intelektualët e qytetarët e Durrësit, brenda vitit 2009, zona e Shkozetit (dhe jo vetëm ajo) do të kthehet në zonë industriale, me përparësi për zhvillimin e mbi 1450 bizneseve të mesme dhe të mëdha dhe punësimin e rreth 4000 njerëzve atje. Nisur nga kjo, qeveria ka gati zbatimin e projektit për privatizimin të rreth 40 objekteve të cilat deri në vitin 1991 kanë qenë fabrika dhe uzina industriale me teknologjinë e asaj kohe. Fjala është për privatizimin e disa ish-fabrikave dhe uzinave, duke synuar krijimin e privatizimin e disa ish-fabrikave dhe uzinave, duke synuar krijimin e zone industriale në Shkozet. Por një numër i madh objektesh në zonën industriale të Shkozetit kanë mbetur ende në pronësi të shtetit, edhe pse e kanë ndërprerë veprimtarinë ekonomike që në fillim të viteve ’90. Përmendim këtu disa godina që dikur kanë qenë reparte prodhimi apo magazina, që tashmë janë amortizuar dhe kanë dalë jashtë përdorimit. Prej tyre janë hequr dyer, dritare e gjithçka tjetër që ka pasur njëfarë vlere. Të tilla janë ish-fabrika e gomës, UMB, Plastika, magazinat e fabrikës së cigareve e të tjera objekte të cilat nuk dihet se përse mbahen në këtë gjendje dhe nuk kalojnë në proces privatizimi. Në Durrës askush nuk është në gjendje që të japë sqarime se përse këto objekte vazhdojnë të lihen në harresë në një kohë që ka mjaft biznesmenë që kërkojnë t’i marrin në pronësi nëpërmjet procesit të privatizimit. Këto ndërtesa, veç të tjerash, janë edhe burime të ndotjes së mjedisit për shkak të amortizimit dhe mungesës së mirëmbajtjes prej vitesh. Në Durrës, dikur funksiononte një degë e Agjencisë së Privatizimit, por që tashmë është suprimuar, pasi kompetencat e saj i ka marrë Tirana. Krijimi i zonës industriale në Shkozet pritet t’i hapë rrugën punësimit të afro 4000 banorëve të Durrësit dhe zonave rreth tij, duke rritur nivelin e tyre ekonomik, por edhe gamën e shërbimeve portuale dhe turistike për qytetin. Veç Shkozetit, në Durrës pritet të kthehet në zonë gjigande industriale edhe Porto Romanoja, një tjetër përparësi e zhvillimit të biznesit në Shqipëri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›