E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aftësitë e kufizuara dhe qëndrimi ndaj tyre

Sa persona me aftësi të kufizuara ka në auditorët e universiteteve tona, sa ka në organet vendimmarrëse, sa ka në shëndetësi, sa ka në arsim, art, kulturë etj? Përgjigjja është shumë pak ose aspak. Shumica e njerëzve e konsiderojnë një njeri me aftësi të kufizuar si të paaftë për të përballuar jetën, duke e lidhur çdo aktivitet njerëzor me aftësinë e kufizuar. Të marrim punësimin. Punëdhënësit, që zakonisht janë persona pa aftësi të kufizuara, kanë vështirësi të punësojnë persona me aftësi të kufizuara, pasi nuk kanë besim në aftësitë e tyre. Ata i diskriminojnë haptazi dhe madje i përcjellin me keqardhje te porta, duke u premtuar punë për një herë tjetër. Ata i paragjykojnë në bazë të kufizimit të tyre, pa u dhënë shansin të shfaqin cilësitë e tjera mendore e fizike që mund të kenë. Edhe media ka ndikimin e saj. Shpesh në historitë personale ose të familjeve të personave me aftësi të kufizuar media nuk nxjerr në pah jetën e tyre normale, por thekson aspektin e të qenit "ndryshe". Madje është traditë që edhe personazhet negative në filma shfaqen me një problem fizik. Ose në rastet kur janë personazhe pozitivë, janë të mëshiruar nga të tjerët për shkak të aftësisë së kufizuar. Edhe në jetën e përditshme shumë prej nesh kur tregojmë një histori rreth një personi me aftësi të kufizuar, theksojnë problemet e këtij personi në përballimin e jetës, vështirësitë që ai has në jetën e përditshme, duke filluar nga ngjitja e zbritja e shkallëve, ndjekja e shkollës, gjetja e një pune, vështirësitë për të krijuar një lidhje dashurore etj. Ndodh jo rrallë që këta persona njihen në lagje pikërisht me emrin e sëmundjes së tyre. Pa dashje edhe familjarët tyre ndihmojnë në forcimin e bindjes se ata nuk dinë të bëjnë asgjë, përveçse të rrinë ulur në karrige me rrota ose në shtrat. Madje nuk mungojnë rastet kur familjarët, të lodhur e të privuar në një farë mënyre në lirinë e tyre, të abuzojnë me gjendjen shëndetësore të të afërmit të tyre, përmes injorimit, neglizhimit, dhunimit, poshtërimit etj.

Praktikisht ndaj personave me AK mbahet një qëndrim përjashtues nga jeta sociale, me motivin se ata janë të paaftë për realizimin e detyrave. Në këtë kontekst ndodh që PAK të jenë viktima të dhunës fizike e psikologjike në shoqërinë e shkollës, punës e kudo. Ndërsa teorikisht, politikat sociale synojnë përfshirjen e personave me AK në jetën sociale, trajtimin pozitiv të tyre, në mënyrë që të kenë një jetë normale, të jenë pjesë e rëndësishme e shoqërisë, të luajnë rolet dhe të përmbushin detyrat. Këtu merret në konsideratë edhe rreziku i mëshirës, pasi ka njerëz që prej keqardhjes i trajtojnë mirë dhe i tolerojnë më shumë se të tjerët PAK. Por ndodh edhe t‘u shmangen atyre për shkak se ndihen në siklet kur ndërveprojnë me ta. Sidoqoftë edhe pse këto politika hartohen në formën e strategjive kombëtare, ato mbeten të pazbatueshme, pasi ende sektorët e administratës publike apo private mbeten diskriminuese në drejtim të personave me AK. Prej këtyre diskriminimeve të hapura, PAK janë të prirur të vuajnë edhe nga ana psikologjike. Shumë prej tyre mund të kenë shenja depresioni, vetëvlerësim të ulët, tipare të çrregullimeve të të ngrënit, ankth, stres etj. Këta nuk vuajnë për shkak të aftësisë së tyre të kufizuar, por për trajtimin që u bën shteti dhe shoqëria. Në të dy rastet ka paragjykime dhe diskriminime, që çojnë drejt përjashtimeve nga të mirat materiale, konkurrenca, socializimi, përfshirjes së drejtpërdrejtë në vendimmarrje. Personat me aftësi të kufizuar janë të kufizuar më tepër nga shteti e shoqëria, se sa nga shëndeti i tyre. Shoqëria i ushqen me mungesë besimi për të ardhmen, po kështu edhe shteti, duke i mënjanuar nga arsimi i lartë me kuota qesharake. Personave me aftësi të kufizuar nuk u nevojitet një tjetër kufizim, por një arritje, një përkrahje për të realizuar veten. Atyre më tepër se ato "pensionet e invaliditetit" qesharake, u nevojitet shkollimi dhe punësimi i siguruar nga shteti. Ky është integrimi social, përfshirja në jetën normale, krijimi i kushteve dhe mundësive për të jetuar me kufizime të pakufizuar. Vetë personat me aftësi të kufizuar nuk e shohin veten si të paaftë, dhe kanë të drejtë. Koha ka treguar që shumë personalitete botërore, që kanë pasur një aftësi të kufizuar, kanë bërë shkencë, art dhe politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›