E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, rol udhëheqës për luftën ndaj krimit në rajon

Shqipëria ka një rol udhëheqës në rajon për luftën kundër krimit të organizuar. Kështu është shprehur drejtori i Përgjithshëm i Europol, në një takim që ka pasur me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, ku kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim strategjik mes Shqipërisë dhe Europol. Marrëveshja synon të forcojë komunikimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi veprimtaritë kriminale mes zyrës së Europolit dhe autoriteteve policore shqiptare. Kjo marrëveshje përcakton gjithashtu edhe mënyrat e format e bashkëpunimit për realizimin e operacioneve të përbashkëta, kryesisht ato ndërkufitare në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar. Ministri Basha e cilësoi realizimin e kësaj marrëveshjeje një hap të rëndësishëm për Shqipërinë si në nivelin operacional të shkëmbimit të të dhënave edhe në nivelin institucional të reformimit të Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Europolit, Rob Wainwright, shprehu angazhimin për forcimin e bashkëpunimit midis këtij organizmi dhe autoriteteve shqiptare për luftë kundër krimit të organizuar dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe rolin e saj udhëheqës në luftën kundër të gjitha veprimtarive kriminale. Gjatë qëndrimit në Hagë, ministri i Brendshëm pati një drekë pune me ministrin e Çështjeve Europiane të Holandës, Frans Timmermans. Basha informoi ministrin Timmermans mbi zhvillimet në Shqipëri me theks të veçantë reformat dhe hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për procesin e liberalizimit të vizave dhe për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›