Hasani: Të gjykosh çlirimtarët është krim

Në 12 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave ushtarake-policore e paramilitare serbe, zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe ish-udhëheqës të UÇK-së thonë se 24 marsi i vitit 1999 mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë më të re të Kosovës. Sidoqoftë ata e vlerësojnë të padrejtë vazhdimin e barazimit të bashkëluftëtarëve të tyre me ata të cilët kanë kryer krim dhe gjenocid në Kosovë.
Më 24 mars 1999, Aleanca Veri-atlantike (NATO) e filloi sulmin kundër forcave paramilitare dhe militare serbe, për ta detyruar Serbinë dhe diktatorin e atëhershëm Sllobodan Millosheviq, i cili udhëhiqte këto forca, të ndalë vrasjet dhe spastrimin kundër civilëve shqiptarë të Kosovës.
Edhe pse e vlerëson natën e 24 marsit si shumë të rëndësishme dhe thotë se gjatë tri viteve të funksionimit si shtet i pavarur, Kosova ka tejkaluar pjesën me të madhe të sfidave, njëri nga themeluesit e UÇK-së, Nait Hasani ka thënë për Kosovapress se problem i madh mbetet gjykimi i padrejtë i ish-luftëtarëve të UÇK-së.
“Të gjykosh sot pas 12 vjet luftëtarët të cilët bashkë me NATO-n e kanë çliruar Kosovën dhe të barazosh krimet e Millosheviqit, të barazosh krimet e Serbisë që i ka bërë në Kosovë me çlirimtarët të cilët e kanë çliruar Kosovën është e barabartë me krim”, është shprehur ai.
Deputeti Hasani po ashtu e ka vlerësuar të padrejtë zhvillimin e bisedimeve Kosovë- Serbi, duke thënë se ato nuk po zhvillohen në nivelin e dy vendeve të barabarta.
Edhe njëri nga ish- komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi 12 vjet pas fillimit të bombardimeve, vlerëson se kjo ditë është njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar dhe se faktor kryesor për intervenimin e NATO-s në Kosovë ka qenë lufta e drejtë e UÇK-së dhe përpjekjet e popullit të saj për liri, por edhe represioni gjithnjë e më i shtuar serb mbi popullatën civile.
“Ndërhyrja e NATO-s në caqet e ushtrisë dhe policisë serbe më 24 mars të vitit 1998 ka qenë një ndër ngjarjet më të rëndësishme të zhvillimeve luftarake në Kosovë, por po ashtu edhe të zhvillimeve politike në Kosovë. Sidoqoftë të arriturat prej asaj date e deri tani nuk mund të jenë edhe aq të kënaqshme”, ka thënë ai.
Duke u ndërlidhur me arrestimet e fundit të disa luftëtarëve të lirisë, Selimi e ka vlerësuar si të pa mjaftueshëm reagimin verbal nga ana e institucioneve të Kosovës, duke shtuar se lufta e UÇK-së duhet të mbrohet edhe në forma të tjera.
“Arrestimet e fundit të EULEX-it të fokusuara kundër çlirimtarëve të Kosovës, në këtë rast kundër luftëtarëve të Brigadës 121 “Ismet Jashari- Kumanova” janë në vazhdën e përpjekjeve për denigrimin e luftës së lavdishme të UÇK-së si një ndër vlerat më të mëdha të kobit shqiptar.”, ka thënë Selimi për Kosovapress.
Kurse ish- zëdhënësi i UÇK-së dhe tani kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasnqi ka thënë se populli dhe luftëtarët e UÇK-së luftuan për të lënë prapa robërinë, vuajtjet, burgjet që e përcollën shumë kohë popullin tonë.
“Në dukje të parë këto dy ngjarje shumëkujt i duken si koincidencë, por në fakt marsi i 99-së i NATO-s nuk do të ndodhte pa marsin e 98-të shqiptarë”, ka thënë ai.
Më 24 mars, pikërisht në ora 20.00, bombat e para të Aleancës Veri-atlantike (NATO-s) filluan të bien mbi caqet e forcave të Serbisë. Bombardimet të cilat zgjatën 78 ditë e detyruan regjimin e Serbisë të ndalë vrasjet dhe dëbimin e civilëve shqiptarë të Kosovës. Kjo ditë edhe përkundër që kanë kaluar 12 vjet kujtohet si dita që lufta e popullit shqiptar të Kosovës për liri e udhëhequr nga UÇK-ja, është mbështetur pa rezervë nga bota demokratike. /kosovapress/