Rritje e fuqishme e bursave evropiane
Indekset e bursave evropiane të enjten kanë shënuar ngritje të fuqishme, të udhëhequra nga zinxhirët e shitjes me pakicë dhe kompanitë e automobilave.
Në mesin e mbështetësve më të mëdhenj për bursat evropiane ishin aksionet e kompanive më të mëdha evropiane si Kingfisher dhe prodhuesi i rrobave Next, me ngritje të çmimeve të aksioneve për 5,4, përkatësisht 5,6 për qind.
Në fitim ishte edhe prodhuesi i veturave BMW me ngritje prej 4 për qind, Daimler me 3,7 për qind.
Gjiganti i minierave BHP Billiton ka fituar 1,3, derisa Rio Tinto ka shënuar rritje 2,1 për qind. Megjithatë, tregtia ishte e kujdesshme duke pasur parasysh shqetësimet e investuesve për shkak të krizës së borxheve në eurozonë, sidomos pas dorëheqjes së kryeministrit të Portugalisë, pasi që Parlamenti i atjeshëm hodhi poshtë propozimin e qeverisë për masat e kursimit.
Ndihma ndërkombëtare për Portugalinë do të jetë ndërmjet 50 dhe 70 miliardë euro, kanë thënë për Bloomberg zyrtarë evropianë.
“Shifrat janë preliminare, por reale”, kanë thënë ata.
Njëkohësisht, Royal Bank nga Skocia parashikon që Portugalisë do t’i nevojitet hua urgjente prej 80 miliardë euro. Tash për tash Portugalia nuk ka kërkuar ndihmë, por shumë analistë dhe politikanë thonë se është vetëm çështje dite kur do ta bëjë një gjë të tillë dhe në këtë mënyrë Portugalia do t’i bashkëngjitet Irlandës dhe Greqisë.
Para përmbylljes së sotme të bursave, indeksi londinez FTSE 100 është në plus 1,25 për qind, DAX Frankfurt ka shënuar rritje 1,69, CAC 40 Paris është në fitim 1,42. Në Wall Street indeksi Dow Jones është në plus 0,72, Nasdaq është në fitim 1,27 për qind dhe S&P 500 ka ngritje 0,84 për qind.