Zihet me mësuesit, qëllon me kallashnikov në shkollë
LUSHNJË - Një 14-vjeçar ka qëlluar me armë në oborrin e shkollës në qytetin e Lushnjës, pas një debati me mësuesin dhe më pas është larguar. Ngjarja ka ndodhur gjatë një ore mësimi. Nxënësi i klasës së 9-të është zënë me mësuesin kujdestar dhe më pas edhe me mësuesin e fizkulturës. Pas grindjeve në klasë adoleshenti ka tentuar të qëllojë me mjete rrethanore mbi mësuesit dhe më pas është larguar për në shtëpi. Aty ai ka marrë një armë automatike, kallashnikov. Më pas ka shkuar në ambientet e pasme të shkollës ku po zhvillohej mësimi dhe ka nisur të qëllojë në mënyrë të çrregullt në drejtim të ndërtesës dhe në ajër. Fatmirësisht plumbat kanë goditur vetëm muret e shkollës dhe asnjë nga nxënësit dhe mësuesit, të cilët janë terrorizuar nga krismat. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Dëshmitë nuk kanë qenë të pakta, pasi shumë nxënës e kishin parë veprimin e 14-vjeçarit. Ai menjëherë është identifikuar dhe sipas shefit të Policisë Kriminale në Lushnjë, shkak ka qenë një debat mes nxënësit dhe mësuesit të fizkulturës. Bashkë me të miturin është ndaluar edhe babai i tij.
Gjenden të vdekur në liqen dy peshkatarë
SHKODËR - Trupat e dy peshkatarëve të mbytur janë gjetur mëngjesin e djeshëm në liqenin e Shkodrës. Viktimat janë Gjovalin Smajli dhe Nikolin Shabi të dy banorët të fshatit Hot të komunës Kastrat në Malësinë e Madhe. Trupat e pajetë të dy personave janë parë nga kalimtarët të rastit të cilët kanë lajmëruar policinë. Ata janë gjetur të mbytur rreth 50 metra larg bregut të liqenit në vendin e quajtur livadhi i Luk Smajlit në Han të Hotit. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu të cilat kanë nisur hetimet. Nga dëshmitë e familjarëve është mësuar se dy peshkatarët ishin larguar nga banesa rreth orës 03:00 të mëngjesit të dy ditëve më parë dhe kishin dalë për peshkim me varkë por nuk ishin kthyer më. Kanë qenë polumbarët nga Mali i Zi që kanë gjetur trupat e pajetë në Han të Hotit.
Shpejtësia i merr jetën të riut nga Lazarati
GJIROKASTËR - Një 23-vjeçar ka gjetur vdekjen mëngjesin e djeshëm në qytetin e Gjirokastrës si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur për shkak të shpejtësisë dhe lagështirës në rrugë. Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Sofratikë, ku mjeti me të cilin udhëtonte 23-vjeçari Arbër Kasma ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një tabelë sinjalistike. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe grupi hetimor. Nga hetimet e tyre është mësuar se, në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, automjeti tip “Volkswagen” me tragë GJ 0100 B, që drejtohej nga Arbër Kasma, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat, ka dalë jashtë rruge. Si pasojë e rrëshqitjes Kasma është dëmtuar rëndë dhe është transportuar menjëherë për në Spitalin rajonal Gjirokastër, por si pasojë e plagëve të rënda ka humbur jetën gjatë rrugës.
Festa kthehet në tragjedi, vdes një maturant
BURREL - Udhëtimi drejt Klosit për të festuar fundin e maturës ka qenë fatal për dy 18-vjeçarë. Ergys Kurti ka humbur jetën teksa udhëtonte nga qyteti i Burrelit drejt Klosit me automjetin tip “Benz”, ndërsa shoqja e tij, Loranda Abazi, ka mbetur e plagosur rëndë. Dy të rinjtë, maturantë në shkollën e mesme “28 Nëntori” do t’i bashkoheshin grupit tjetër të shokëve në Klos ku po festonin përfundimin e shkollës. Rrugës mjeti është aksidentuar si pasojë e shpejtësisë. Aksidenti ka ndodhur pranë një karburanti në vendin e quajtur Suç, punonjësit të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë, ndërsa dy maturantët janë dërguar në spitalin rajonal. Fatkeqësisht 18-vjeçari Ergys Kurti nuk u ka mbijetuar plagëve të shkaktuara nga aksidenti duke humbur dhe jetën, ndërsa shoqja e tij Loranda është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore me helikopter në Spitalin Ushtarak.
Vetëvritet me energji elektrike 34-vjeçari
TIRANË - Një i ri ka gjetur në mënyrë të tmerrshme për t’i dhënë fund jetës. Arjan Kadare, 34 vjeç, është lidhur me rrjetin elektrik të banesës së tij dhe më pas ka futur telat e energjisë në prizë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në banesën e viktimës, në afërsi të Shkollës së Kuqe në Tiranë. Nga të dhënat e uniformave blu është mësuar se 34-vjeçari kishte kohë që kishte kaluar në depresion dhe kurohej. Viktima ishte divorcuar disa kohë më parë. Ditën e djeshme ai kishte qenë vetëm në banesë dhe ka vendosur që t’i japë fund jetës. Pasi ishte lidhur me kabllo elektrik, ai ka futur telat në korrent duke i sjellë vdekjen e menjëhershme. Kanë qenë familjarët që e kanë gjetur trupin e karbonizuar të të afërmit të tyre dhe menjëherë është njoftuar policia. Hetimet e plota në lidhje me ketë ngjarje pritet të zbardhen gjatë ditës së sotme.
22 Maj 2010