E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjarja makabre, nëna i merr shpirtin fëmijës 18 muajsh



Artan CENA
KORÇË - Një nënë ka rrahur deri në vdekje fëmijën e saj vetëm 18 muajsh. Krimi i rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Zemblak të Korçës. Siç bëjnë të ditur burimet policore, Sonila Lumi, 23 vjeçe, me origjinë nga fshati Vidohovë, ka rrahur barbarisht fëmijën e saj, Kristianon, dhe më pas e ka mbytur me duar duke i marrë frymën. Vdekja është konstatuar nga mjekët kur çifti Lumi e ka dërguar foshnjën në spital. Mësohet se pas të rrahurave fëmija ka rënë në gjendje kome dhe më pas nëna e ka dërguar në spital. Mjekët kanë deklaruar se pasi e ka rrahur fëmijën e saj, 23-vjeçarja i ka vënë duart në fyt duke e mbytur. Bluzat e bardha kanë vërejtur shenja gishtërinjsh në fytin e fëmijës. Familjarët kanë mbetur të shokuar pasi kanë marrë vesh lajmin. Me të mësuar ngjarjen e rëndë Policia e Korçës ka vënë në pranga 23-vjeçaren. Ajo është akuzuar dhe nga bashkëshorti.
Ngjarja
Krimi i rëndë ka ndodhur në orën 12:00 të ditës së djeshme në fshatin Zemblak të Korçës. Sonila Lumi ka qenë në banesë së bashku me fëmijën e saj 18 muajsh. Kanë qenë të qarat e fëmijës që e kanë acaruar nënën e re. Burime policore nga Korça kanë bërë të ditur për “Albania”-n se 23-vjeçarja, duke mos arritur të qetësonte foshnjën, ka filluar ta rrahë duke e dhunuar fizikisht. Krimi i rëndë është zbuluar tri orë më vonë, kur në shtëpi ka shkuar babai i fëmijës, Eduard Hoxhalli, i cili punonte si çoban për bagëtitë e fshatit. Me të mbërritur në banesë ai ka kërkuar që të shikonte djalin e tij, por bashkëshortja i ka thënë se ai ishte sëmurë. Atëherë të dy së bashku janë nisur me urgjencë për në Spitalin e Korçës. Por gjithçka ka qenë e kotë. Mjekët i kanë thënë babait se djali ishte i vdekur dhe kishte shenja të shumta në qafë. Menjëherë ai ka drejtuar gishtin drejt bashkëshortes së tij, duke e akuzuar për krimin e rëndë. Ai ka treguar për policinë se e kishte gjetur fëmijën pa ndjenja në krevat dhe se vetë ishte në mal me bagëtitë.
Arrestimi
Sapo mjekët kanë konstatuar vdekjen e fëmijës dhe akuzat që lëshonte burri ndaj bashkëshortes, është njoftuar policia. Ata kanë shkuar në ambientet e spitalit dhe kanë ndaluar 23-vjeçaren Sonila Lumi, ndërsa trupi i fëmijës është dërguar në morg, ku do të dalë dhe shkaku i vërtetë i vdekjes. Paraprakisht policia mendon se vrasja është kryer duke i marrë frymën foshnjes 18 muajshe, pasi shenjat në qafë e tregojnë qartë këtë veprim. Familja Hoxhalli jetonte në varfëri të plotë. Me të mbërritur, policia e ka vënë në pranga Sonila Lumin, nën akuzën e “vrasjes në rrethana të cilësuara”. Sonila Lumi, e cila jetonte në Zemblak me bashkëshortin, ka qenë e vetme në shtëpi së bashku me djalin në momentin që ka kryer krimin e rëndë.
Vetëm tri ditë më parë një nënë shqiptare që jetonte në Greqi, mbyti fëmijën 7 vjeç me kollaren e bashkëshortit.

Vrasja me gurë, në pranga një nga të dyshuarit
ELBASAN - Zbulohet masakrimi i një burri në Librazhd. Policia e Elbasanit, pas dy vjet hetimesh, ka bërë të mundur identifikimin e autorëve të vrasjes me leva dhe gurë të Ramazan Murrashit. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Plagë të vjetra”, është bërë i mundur identifikimi dhe zbulimi i autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë. Ata janë Nevit Dashballa, 34 vjeç, dhe Besim Duka, 39 vjeç. Ngjarja ka ndodhur më 22 prill 2008, në vendin e quajtur Kryqëzimi i Përrenjasit, në hyrje të qytetit të Librazhdit. Në këtë vend është plagosur me mjete të forta Ramazan Murrashi, lindur dhe banues në Librazhd, i cili pas disa ditësh, si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen në Spitalin e Elbasanit. Rrahja për vdekje e tij kishte ndodhur pasi në gjendje të dehur, Murrashi kishte sharë dy të dyshuarit. Këta të fundit nuk ia kishin falur fjalët e rënda dhe e kanë qëlluar me gurë dhe dru atë, duke i sjellë dhe vdekjen pas disa ditësh. Në pranga ka rënë një nga të dyshuarit, Nevit Dashballa, ndërsa autori i dytë është shpallur në kërkim.

Zihet me mësuesit, qëllon me kallashnikov në shkollë
LUSHNJË - Një 14-vjeçar ka qëlluar me armë në oborrin e shkollës në qytetin e Lushnjës, pas një debati me mësuesin dhe më pas është larguar. Ngjarja ka ndodhur gjatë një ore mësimi. Nxënësi i klasës së 9-të është zënë me mësuesin kujdestar dhe më pas edhe me mësuesin e fizkulturës. Pas grindjeve në klasë adoleshenti ka tentuar të qëllojë me mjete rrethanore mbi mësuesit dhe më pas është larguar për në shtëpi. Aty ai ka marrë një armë automatike, kallashnikov. Më pas ka shkuar në ambientet e pasme të shkollës ku po zhvillohej mësimi dhe ka nisur të qëllojë në mënyrë të çrregullt në drejtim të ndërtesës dhe në ajër. Fatmirësisht plumbat kanë goditur vetëm muret e shkollës dhe asnjë nga nxënësit dhe mësuesit, të cilët janë terrorizuar nga krismat. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Dëshmitë nuk kanë qenë të pakta, pasi shumë nxënës e kishin parë veprimin e 14-vjeçarit. Ai menjëherë është identifikuar dhe sipas shefit të Policisë Kriminale në Lushnjë, shkak ka qenë një debat mes nxënësit dhe mësuesit të fizkulturës. Bashkë me të miturin është ndaluar edhe babai i tij.

Gjenden të vdekur në liqen dy peshkatarë
SHKODËR - Trupat e dy peshkatarëve të mbytur janë gjetur mëngjesin e djeshëm në liqenin e Shkodrës. Viktimat janë Gjovalin Smajli dhe Nikolin Shabi të dy banorët të fshatit Hot të komunës Kastrat në Malësinë e Madhe. Trupat e pajetë të dy personave janë parë nga kalimtarët të rastit të cilët kanë lajmëruar policinë. Ata janë gjetur të mbytur rreth 50 metra larg bregut të liqenit në vendin e quajtur livadhi i Luk Smajlit në Han të Hotit. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu të cilat kanë nisur hetimet. Nga dëshmitë e familjarëve është mësuar se dy peshkatarët ishin larguar nga banesa rreth orës 03:00 të mëngjesit të dy ditëve më parë dhe kishin dalë për peshkim me varkë por nuk ishin kthyer më. Kanë qenë polumbarët nga Mali i Zi që kanë gjetur trupat e pajetë në Han të Hotit.

22 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›