Agim Musho: Irena iku nga shtëpia me të dashurin
Agim Musho i është rikthyer dje historisë së zhdukjes së bashkëshortes së tij, Irena Seli, teksa ka dëshmuar në gjyqin që po zhvillohet në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet për divorcin e tyre zyrtar. "Irena ka ikur që në vitin 2002 me të dashurin e saj dhe nuk është kujtuar më për familjen, kështu që nuk kam arsye për të qëndruar më i martuar me të", mësohet të ketë deklaruar Musho gjatë seancës së djeshme. Ai ka ripërsëritur mendimin e tij se martesa e tyre kishte marrë fund dhe tashmë e vetmja gjë që kishte mbetur ishte zyrtarizmi i divorcit nëpërmjet një vendimi gjykate. Gjyqi për divorcin midis Agim Mushos dhe Irena Selit ishte shtyrë disa herë për shkak të mungesës së një adrese të saktë të të paditurës. Gjykata disa herë ka nisur fletëthirrje për Irena Selin, por mungesa e një adrese të saktë për vendndodhjen e saj ka bërë që fletëthirrjet të kthehen sërish mbrapsht. Mosnjoftimi i të paditurës ka bllokuar vijimin e procesit duke vështirësuar punën e gjykatës.
Irena Seli është zhdukur në mënyrë misterioze më 16 dhjetor të vitit 2004. Së bashku më Agimin ajo ishte duke u kthyer në Shqipëri, pas një udhëtimi që kishin pasur të dy në Gjermani. Çifti kishte udhëtuar me tragetin e linjës Trieste-Durrës, por në momentin e mbërritjes, Irena zhduket në mënyrë misterioze. Bashkëshorti i saj e akuzoi për tradhti bashkëshortore dhe deklaroi se ajo iku me të dashurin, pasi kishte marrë edhe 100 mijë dollarë të familjes, ndërsa familjarët e Irenës e akuzuan Agimin se ai e kishte vrarë vajzën e tyre dhe e kishte hedhur nga trageti. Çështja u bë objekt i hetimeve të prokurorisë për një kohë të gjatë, por asgjë konkrete nuk u zbardh për fatin e Irenës. Prokuroria nuk deklaroi asnjëherë zyrtarisht nëse Irena kishte zbritur në Durrës apo jo dhe nëse ishte zbuluar diçka rreth fatit të saj. Përplasjet midis Agim Mushos dhe familjarëve të Irena Selit u ashpërsuan shumë pas akuzave dhe kundër akuzave publike të të dyja palëve, madje babai i Irenës tentoi ta vriste dhëndrin e tij, por pa rezultat.
Në muajin dhjetor të vitit 2007, pikërisht kur kishin kaluar tre vite nga zhdukja e Irenës, Agim Musho depozitoi në Gjykatën e Tiranës një padi ku kërkonte divorcin me bashkëshorten e tij. Argumenti kryesor i përdorur prej tij në padi ishte se ai nuk bashkëjetonte me Selin për një kohë të gjatë dhe si pasojë martesa e tyre e kishte humbur efektin. Ndërkohë, moszgjidhja e martesës me Selin atë e pengon për të lidhur kurorë të re. Pas shortit elektronik të hedhur në Gjykatën e Tiranës, padia e Mushos i është dorëzuar gjyqtares Fiqirete Mullai për ta shqyrtuar atë. Në seancën e djeshme Agim Musho ka këmbëngulur në vendimin e tij për t‘u divorcuar zyrtarisht me Irena Selin, për shkak të tradhtisë dhe largimit të saj nga familja.