"Heronjte e punes demokratike"
"A kopilat e dreqit, a ju raftë gërdeci, ju raftë!". Kjo fjali nuk është thënë, as bërtitur e as menduar atë mesditë të mbrapshtë të 15 marsit. Këto fjalë janë bërtitur dikur, mbase këtu e 35 vjet më parë, mu në zemër të Tiranës. Ky "gërdeci", ai mallkim që porsa keni lexuar, të shkruar me germë të vogël, dhe jo si fshati që shkruhet me "g" të madhe, nuk ka lidhje me atë tragjedinë që përjetojmë përditë të tërë bashkë minutë pas minute. Të paktën në pamje të jashtme, por më vonë mbase do të ndryshojmë mendje. Një histori e vjetër nuk ka se si të lidhet me një kodër të tërë të rrafshuar, të hedhur në erë, me njerëz që punojnë si skllevër në një mijëvjeçar të ri, me gërmadha të pariparueshme, me ëndrra të thyera, me dasma të përgjakura, me fytyra që nuk skuqen kur kujtojnë këtë tragjedi, me viktima-foshnje dhe me njerëz të harruar në fatin e tyre të përzhitur nga Hiroshima shqiptare. Jo, aspak. Kjo histori zë fill në një Tiranë të sunduar nga diktatura, atëherë kur parimisht duhet të ndodhte më e keqja.
Këtu e 35 vjet më parë, Tirana ishte një qytet tjetër. Po ashtu ishim edhe ne, fëmijët e saj. Diku mes dy prej rrugëve të saj më të njohura, mes Rrugës së Kavajës dhe asaj që quhet "Myslym Shyri", në rrugica me emra dëshmorësh jo edhe aq të njohur si "Him Kolli", "Shyqyri Bërxolli" apo të tjerë, kalonte jeta jonë e thjeshtë. Nga zbavitjet e vetme, po të lemë mënjanë librat e Zhyl Vernit a të Mark Tuenit dhe ndonjë lojë të shpejtë me top lecke të improvizuar, ishin edhe inkursionet ndër bahçet e "tironsve" në kërkim të ndonjë kumbulle a molle, por sidomos në kërkim të hurmave. Instruktori ynë ishte një Gim. Ishte më shumë se dhjetë vjet më i madh nga ne. Gimi, na mësonte se ku ishin gardhet më të lehta për t‘u kapërcyer, se cila ishte shtëpia pa njeri në kohën e "ekspeditës", se ku ishin hurmat më të mira farëzeza e kështu me radhë. Ne çuditeshim se sa kollaj na kapnin fqinjët tanë të mirë, gjithnjë tolerantë. E kishim zbrazur më parë gjoksin tonë të mbushur plot me hurma farëzeza para këmbëve të Gimit dhe tani na kapnin vetëm pak çaste më vonë dhe ishte pikërisht Gimi ai që u thoshte familjarëve se cilët ishin "kopilat" që vidhnin hurmat ndër bahçe. Ishte pikërisht ai që na nxiste dhe ai që na spiunonte. Me një fjalë ishte ai që na shfrytëzonte. Dhe atëherë, për herë të parë, dëgjuam plakat me napat e bardhë borë mbi krye, të na mallkonin: "A ju raftë gërdeci, ju raftë, more dreqën…!". Atëherë nuk e dinim edhe aq mirë se ç‘donte të thoshte në "tironçen" e vjetër kjo e nëmur e madhe. Nuk e mësuam madje deri vonë, deri sa u rritëm e u bëmë burra me mustaqe. Dikur e mësuam se me fjalën "gërdec" plakat e mira të Tiranës kishin parasysh një sëmundje të rëndë, një epidemi të paparë, një sëmundje që bën kërdinë: murtajën e pashoqe.
Dhe ja ku, për fatin tonë të keq, na erdhi radha që të na zërë mallkimi i vjetër i plakave, që tashti nuk jetojnë më. Ja ku na mbërriti vërtet Gërdeci, jo më një sëmundje, jo më një epidemi, por shumë herë më shumë se kaq. "Një flamë", do të thoshin diku nga Jugu. Vetëm pak kilometra larg nesh, ndër vende në të cilat kalonim tre-katër herë në javë, kishte nisur të ngjizej një nga tragjeditë më të papara të këtij mileti plot të zeza. Mbi një kodër të rrethuar shkel e shko, varfëria i detyronte njerëzit të çmontonin armë vrastare. Gra, fëmijë, burra të pashkolluar dhe me bukë nën sqetull e takonin përditë vdekjen, i buzëqeshnin asaj dhe pastaj ktheheshin përditë ndër shtëpitë e tyre gati-gati të lumtur se kishin arritur të çonin në shtëpi "pagesën e frikës". Në këtë kohë ne merreshim me gjëra të mëdha sikurse Kodi Zgjedhor, reforma në drejtësi, me pozitën dhe opozitën, me NATO-n… Ata as që donin t‘ia dinin. E kishin kaluar edhe një ditë në përballjen e tyre me vdekjen. Llogjet tona apo të më të mëdhenjve ishin vetëm një sfond për të kaluar disa orë të mbrëmjes kur kishin drita.
Pastaj ndodhi Hiroshima shqiptare. Edhe më i ftohti u ngjeth nga ajo që i panë sytë e i dëgjuan veshët. Mediu dha dorëheqjen. Një akt qytetar e njerëzor. Të tjerë bënë si struci, madje pati edhe nga ata që e shitën sakaq mikun e tyre deri disa orë më parë. E gjithë kjo histori është një histori hajdutllëku. Një firmë fantazmë, shtetërore vërtet, por fare jashtë kontrollit ka bërë gjëmën. Ka bërë ç‘ka dashur, me të gjitha lehtësirat e duhura, e shoqëruar nga Policia Ushtarake, me tonelata barut dhe eksploziv të të gjitha llojeve kanë kaluar kufirin e Shqipërisë për të shkuar në tregjet e huaja. Ja ku kemi një arsye më shumë për t‘u skuqur ne të shtypit. Vite më parë, në kohën kur në Afrikë po konsumohej gjenocidi më i madh i shekullit të kaluar, ai mes etnive hutu dhe tucu në Ugandë, armët vrastare kishin ardhur nga Shqipëria. Ne asokohe vetëm belbëzuam pak dhe pastaj hiç. Eksportuesi ishte kjo firmë e shtetit shqiptar. Bilanci i saj sigurisht nuk kontrollohej, sepse quhej i një rëndësie strategjike. Nuk është punë vetëm e Saliut, as e Mediut dhe ndonjë emri tjetër. Puna është se për këtë veprimtari duhet të përgjigjen - tashmë nuk ka më asnjë justifikim - të tërë ata që e kanë ditur se çfarë biznesi kolosal kryhej me pasuritë vrastare të fshehura nën dheun shqiptar. Kjo pasuri nuk u takon qeverive kalimtare, por krejt miletit shqiptar. Në një kronikë televizive një ish-ministër Mbrojtjeje, socialist, jep mend duke folur shkoqur se si mund të ishte evituar kjo tragjedi. Për pak minuta na e mbush mendjen. Duket i rregullt e djalë pa vese, të paktën të dukshme. Por ja se ku në të njëjtin stacion, vetëm pas pak minutash ky ish-ministër shfaqet duke ngrënë një goxha tortë as më pak e as më shumë sesa me Delijorgjin, njërin prej njerëzve të arrestuar për tragjedinë. "Këtë e paska zënë gërdeci prej kohësh tashmë", na mbetet të mendojmë.
Edhe Evropa duket e prekur nga kjo gjëmë që na gjeti. "Na thoni faturën që t‘i ndihmojmë viktimat e shkreta", ka thënë pak a shumë Evropa e mirë, njësoj sikur të mos e dinte numrin e kamionëve të mbushur me municion që përditë niseshin nga Durrësi për në Bruksel. Ajo që duhet të kërkojmë është nëse municionet tona, pronë e shqiptarëve, dhe jo e qeverisë, kanë vazhduar të marrin jetë njerëzish diku gjetkë. Brukseli e dinte se ku shkonin. I takon tani të thotë të vërtetën. Me sa duket idetë vrastare të komunizmit kanë vazhduar të zbatojnë destinacionin e tyre. Zaten armët prodhohen për të vrarë dhe jo për gjë tjetër. Meqë ra fjala te komunizmi. Për punët e tij atij i duhej që qoftë edhe një naftëtar fatkeq, edhe një bari që mbytej duke shpëtuar dele, edhe një fillrojtës të bëhej shembull që të tjerët të vdisnin krenarë. Madje, duhej të ndiheshin krenarë edhe familjarët e mbijetuar. Zakonisht këta quheshin "Heronj të Punës Socialiste". Fatkeqët heronj i treste dheu duke lënë pas varfërinë e tyre, ndonëse me ndonjë lehtësi demagogjike nga sistemi i kohës. Tani mallkimi i "gërdecit" na ka lënë një kategori tjetër heronjsh, ata të "Punës Demokratike". Të pasiguruar - "Nuk kishim njohuri", ka thënë dje paturpësisht Ministria e Punës - në mëshirë të fatit, të përbuzur në varfërinë e tyre, me sytë nga qielli, me njerëzit që nuk i dinë ku janë, këta heronj presin që demokracia t‘ia kalojë diktaturës, në ndershmëri, në ligj, në drejtësi, në liri, por sidomos në trajtimin e tyre thjesht si qenie të barabarta njerëzore. Deri më tani kjo nuk ka ndodhur. Për individin e varfër jemi kujtuar sa herë që kemi pasur nevojë për vota, për punën e tij të papaguar, apo për ndonjë hall tjetër. Se si jeton ky njeri, se ç‘farë aspiron ai që duhet të jetë zoti i vërtetë i këtij vendi, kemi bërë një sy qorr e një vesh shurdh. Pastaj le të bëjmë zira kombëtare, le të bëjmë qoka e ceremoni sa të duam. Ai tashmë nuk është më. Ka mbetur vetëm pushteti, ai i cili bën e ka bërë me të ç‘ka dashur.
Ja pra, ku na zuri ai mallkimi i vjetër që na vinte sa herë që vidhnin hurma te bahçja e fqinjit. Për dreq "gërdeci" kësaj here na zuri të tërëve, edhe ata që kanë vjedhur, edhe Gimin spiun e hajdut, edhe ata që kanë vrarë, edhe ata që kanë heshtur.