E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ky është një krim shtetëror

Nuk ka fjalë për ta përshkuar atë që ndodhi në Gërdec. Një tragjedi që kalon pasojat e çdo fatkeqësie natyrore. Tashmë ne nuk kemi më nevojë për dëshmi për të treguar me gisht përgjegjësit. Përfundojnë apo jo para gjykatësve, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe pronari i firmës private "Alb Demil" që bënte çmontimin e predhave, janë të parët, dhe pse jo të vetmit, që duhet të përgjigjen. Vendimi i qeverisë, datë 14 mars 2007, ia ngarkon përgjegjësinë tërësisht ministrit të Mbrojtjes për të kontrolluar shitjen apo çmontimin e armëve të tepërta. Asnjë alibi për mospasje dijeni për atë që ndodhte në mejhanen e çmontimit nuk e shfajëson ish-ministrin Mediu. Ai ishte atje pikërisht për të ditur se çfarë ndodhte në ushtrinë shqiptare. Megjithatë, të gjithë duhet ta dinë se Ministria e Mbrojtjes nuk ishte hera e parë që bashkëpunonte me firmën e çmontimit të predhave, pasi që nga viti 1997, kur është themeluar "Alb Demil" ka shndërruar në skrap dhe ka shitur më shumë se gjysmën e tankeve e topave të ushtrisë shqiptare dhe tashmë i kishin mbetur edhe predhat pa shitur. Kryeministri ynë deklaroi se firma ka qenë e specializuar për të çmontuar predhat. Po, ajo firmë ka qenë e specializuar, por jo për predha. Ajo ka qenë e specializuar për të fituar tenderët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Rendit, e madje edhe kur ka qenë zyrtarisht nën akuzë nga prokuroria për kontrabandë e evazion fiskal.

Duhet t‘ua dimë për nder Hrushovit dhe Mao Ce Dunit që nuk i sollën Enver Hoxhës edhe ndonjë bombë atomike, se fshatarët e Gërdecit do ta çmontonin edhe atë, që ta shiste "Alb Demil" për skrap. Hetimet, nëse do të bëhen, duhet të zbulojnë se deri ku shkonin fijet e një tregtie kaq të madhe e kaq fitimprurëse, për të vërtetuar madje edhe disa thashetheme që shkojnë më lart se ministri. Ne ia njohim maninë Kryeministrit tonë për të ditur e kontrolluar gjithçka dhe jemi të bindur se ai e dinte edhe për këtë biznes marramendës, këtë minierë ari në sipërfaqe të tokës.

Përtej këtij biznesi shtetëror gjysmë të ndriçuar dhe përgjegjësisë penale që është kompetencë e prokurorisë, tragjedia e Gërdecit nxori në pah një shtet që nuk ka funksionuar kurrë, asnjëherë dhe në asnjë drejtim. Në mënyrën më absurde, firma private u lejua të hapë një kantier çmontimi predhash mu në mes të fshatit dhe fare afër të vetmit aeroport ndërkombëtar. Dhe aty ajo punësoi njerëz pa asnjë kualifikim, njësoj si të ishte një fermë bujqësore. Realiteti shkon përtej çdo absurdi dhe imagjinate. Fëmijë që në fundjavë shkonin në kantier dhe ndihmonin mamanë të çmontonte sa më shumë predha, për të marrë pak më shumë para. Le t‘ia tregojmë kujtdo në Evropë këtë të vërtetë dhe nuk do të na e besojë kush.

Ky realitet tregoi se nuk ka funksionuar Inspektorati i Punës. Ajo sipërmarrje nuk është kontrolluar asnjëherë për të parë se kush punonte, në ç‘kushte punonin njerëzit atje dhe sa paguheshin. Ja pse dorëheqja e Fatmir Mediut duhet të shoqërohet nga ajo e ministrit të Punës, Kosta Barka. Aty punonin mbi 150 njerëz, por firma "Alb Demil" kishte të regjistruar në librat e shtetit vetëm presidentin dhe shefin e financës së shoqërisë. Po të kishte funksionuar edhe ky segment shtetëror, kjo gjendje do të ishte denoncuar më parë dhe gjëma nuk do të kishte ndodhur. Në librat e tatimeve rezulton se punishtja e çmontimit të predhave nuk ishte e regjistruar dhe nuk paguante as taksa. Nëse do të kishte funksionuar edhe ky segment shtetëror, sërish tragjedia do të ishte parandaluar, ndaj dhe drejtuesit e këtij institucioni duhet të marrin përgjegjësinë e tyre. Hapja e një punishteje të tillë duhet të ishte kontrolluar edhe nga inspektorët e mjedisit. Por as kjo nuk është bërë. Po të kishin funksionuar të gjitha ingranazhet e shtetit, gjëma do të ishte shmangur. Këto janë detyrat që duhet të bëjë një qeveri, por qeveria jonë është shndërruar në një agjenci funerale që varros gratis të vdekurit e saj.

Kjo tragjedi mori përmasa të mëdha, sepse u fshinë nga toka disa fshatra me radhë, pasi të vdekurit ne i varrosim e i harrojmë shpejt, ashtu siç kemi bërë edhe në tragjeditë e mëparshme. Për këtë arsye, kjo tragjedi duhet të shërbejë si një precedent i fortë që funksionimi i shtetit të marrë një kthesë të madhe. Kjo tragjedi tregoi se gjithkund ku bëhet biznes, privat apo shtetëror, nuk respektohet asnjë lloj standardi sigurie. U desh të mbyten 16 njerëz në një pellg me ujë në Tiranë që policia të kujtohet të kontrollojë të gjitha varkat që bëjnë transport njerëzish, për të parë nëse i respektojnë standardet e sigurisë apo jo. U desh një gjëmë edhe më e madhe që qeveria të kujtohet se si një punishte çmonton predha mu në mes të zonës urbane. Tragjedia mund të ishte rritur, nëse një predhë e vetme, nga shiu i madh i predhave të lëshuara nga shpërthimi, do të kishte goditur një stacion të madh gazi dhe karburanti mu pranë qytetit të Vorës. Atëherë ne do të kujtoheshim se edhe depozitat e gazit nuk duhen vendosur pranë qendrave të banuara. Do të duhet të digjet një ndërmarrje me gjithë punëtorë brenda, që ne të kthejmë kokën e të shikojnë se në ç‘kushte punojnë ata e sa plotësohen standardet e sigurisë kundër zjarrit. Do të duhet të ndodhë ndonjë gjëmë në ndonjë shkollë, që shteti të kthehet e të shikojë se çfarë standardesh sigurie ka sot në shkolla.

Për këtë arsye, pa frikë ne mund ta konsiderojmë këtë tragjedi një krim shtetëror, pasi në të janë të implikuar struktura dhe njerëz të shtetit dhe se ai ndodhi pikërisht, sepse nuk kishte funksionuar asnjë ingranazh i shtetit, me apo pa dashje, kjo nuk ka tashmë asnjë rëndësi. Dhe si i tillë ky krim duhet të dalë para drejtësisë dhe drejtësi do të thotë të dënohen njerëzit përgjegjës, sado të pasur apo me pushtet qofshin. E në mos ndodhtë kjo, fatkeqësia duhet të shërbejë si një mësim i madh. Pasi shteti nuk është makina e policisë që shkon në vendngjarje kur ndodh një krim, por është ai që kontrollon çdo veprimtari në territorin e tij, duke siguruar punën dhe jetën e shtetasve. Tragjeditë kudo kanë shërbyer si precedentë për të korrigjuar funksionimin e shtetit. Në një shtet në SHBA, tre vjet më parë, një burrë 85 vjeç, ishte duke udhëtuar me makinë dhe pranë një tregu, në vend që të frenonte, i dha më shumë gaz makinës duke vrarë po kaq njerëz sa u vranë edhe në Gërdec. Pas kësaj autoritetet morën një vendim: Asnjë njeri mbi moshën 65 vjeç nuk do të drejtojë më makinë, pasi nuk e komandon dot.

Tragjeditë këtu vijnë e ikin, ndërsa problemi mbetet, ndaj ne nuk duhet të rreshtim së drejtuari gishtin e akuzës derisa kjo tragjedi të shërbejë si një mësim i madh, për të nisur një valë korrigjimesh ligjore e administrative në të gjithë vendin e në të gjithë sektorët. Mjaft më! Të gjithë janë fajtorë, të majtë e të djathtë, pasi të gjithë kanë kontribuar në ndërtimin e këtij shteti që funksionon si një organizatë private, e mbushur me të korruptuar e të inkriminuar. Zoti na ruajt, deri sa edhe ne të kemi një shtet që të na ruajë. Por ndërsa lutemi, ne nuk duhet të presim që shtetin të vijnë të na e ndërtojnë të tjerët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›