"Marin Barleti", në gjyq për veprën e Vilson Blloshmit
Vepra e Vilson Blloshmit, është bërë objekt i një procesi gjyqësor në Gjykatën e Tiranës. Vëllai i poetit të pushkatuar në kohën e diktaturës së bashku me Sadik Bejkon, i cili ka bërë një libër për jetën dhe veprën e Vilsonit kanë paditur në gjykatë shtëpinë botuese "Marin Barleti". Në këtë padi ata kërkojnë "shpërblimin e dëmit ekonomik në masën 1.000.000 lekë si rezultat i botimit dhe i shfrytëzimit të padrejtë të veprës letrare ‘Vilsoni dhe Genci‘, e shkruar nga Bejko". Por vjedhja e materialeve të veprës së Bejkos duket se është pjesa më e paktë e asaj që kërkojnë aktualisht paditësit. Sipas tyre, shtëpia botuese ka ndryshuar qëllimisht të dhënat e marra në libër duke i deformuar dhe shëmtuar ato. Për këtë arsye, kërkesa tjetër e bërë nga paditësit është ajo e shpërblimit të dëmit jopasuror nga shtëpia botuese në masën 2.000.000 lekë për shkak të deformimit e shëmtimit me qëllim të veprës origjinale.
Duket se vepra "Poetët e Bërzeshtës" e nxjerrë në treg nga shtëpia botuese "Marin Barleti" dhe në të cilën pretendohet se janë përdorur materiale të vjedhura nga vepra e Bejkos i ka acaruar shumë familjarët e Blloshmit. Vëllai i tij, Bedri Blloshmi, ka kërkuar gjithashtu nga gjykata që të urdhërojë konfiskimin e të gjitha kopjeve të botimit që është hedhur në treg nga "Marin Barleti". Çështja që po gjykohet nga gjyqtarja Majlinda Doga është në fazën e paraqitjes së provave materiale. Poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka ishin nga Bërzeshta e Librazhdit dhe punonin si mësues. Ata u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977, nga diktatura komuniste, pasi u dënuan në një proces politik për akuzat e krimit, sabotimit ekonomik, agjitacionit dhe propagandës.