E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Mediu të dëshmojë vullnetarisht

Prokuroria e Tiranës i bën thirrje ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që të japë shpjegime vullnetarisht, për të hedhur sadopak dritë mbi tragjedinë e Gërdecit. Grupi hetimor i përbërë nga drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës po përqendrohet te përgjegjësit e Ministrisë së Mbrojtjes. Në këtë fazë, ata i kanë bërë thirrje publike Mediut që të dëshmojë si person që ka dijeni rreth fakteve. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Akuzës Qendrore, sipas së cilës, në adresë të ish-ministrit nuk është dërguar ndonjë fletë-thirrje, pasi gëzon imunitet si deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Nisur nga kjo, procedura që do të ndiqet është që kryetari i Partisë Republikane të paraqitet vullnetarisht. Grupi hetimor tha dje se ai mund të zbardhë mënyrën e kontraktimit të firmës amerikane dhe të firmave shqiptare, duke analizuar në detaje kontratat e ministrisë me firmat e dyshuara si përgjegjëse për shpërthimin në fshatin Gërdec, i cili i mori jetën të paktën 17 personave.

Gjithsesi, dhjetëra dokumente në ministri janë sekuestruar nga Organi i Akuzës dhe po ballafaqohen me dokumentet e servirura nga të tre të arrestuarit, drejtuesit e firmave nënkontraktore. Hetuesit e çështjes thanë se janë mbledhur dokumentacione të kontratave, regjistra për demontimin, trajnimet dhe pagesat në bordero. Por një pjesë e dokumenteve që zotëronin firmat me Ministrinë e Mbrojtjes dyshohet se janë djegur gjatë shpërthimit. Një fazë tjetër e hetimeve do të përqendrohet te nëpunësit e ministrisë që kanë lidhur kontratat me firmat private, por nuk jepen detaje nëse ka ndonjë të shoqëruar. Burimet saktësuan se hetimet në ministri po përqendrohen në Drejtorinë Juridike të Ministrisë së Brendshme, por ende nuk përcaktohet implikimi i tij në tragjedi. Akuza për të cilën dyshohet është "Shpërdorim detyre". Hetuesit e çështjes po verifikojnë të ndaluarit kanë thyer rregullat e ruajtjes së armatimeve apo të një veprimi kriminal të kryer me dashje.

Ndërkohë procesverbalet e marrjes në pyetje të të ndaluarve po verifikohen nga hetuesit e çështjes. Paraprakisht janë konstatuar disa pasaktësi në dëshminë e tyre. Drejtuesit e firmave mohuan kategorisht para hetuesve që punëtorët që punonin në "fabrikën e vdekjes" të ishin të patrajnuar. Ata kanë hedhur poshtë deklaratat e të mbijetuarve, sipas të cilëve, në fabrikë lejoheshin edhe fëmijë për të punuar me transportin e arkave e barutit të gëzhojave. Sipas drejtuesve të firmave nënkontraktore të gjithë punëtorët kanë qenë të siguruar e të trajnuar për disa javë. Por në procesverbalet e prokurorëve janë shënuar dhjetëra dëshmi të të mbijetuarve, të cilët deklaronin se në firmë kanë punuar edhe persona të patrajnuar si dhe fëmijë. Gjithsesi hetuesit e çështjes thanë se dëshmitë e drejtuesve të firmave janë ballafaquar me dëshmitë e punëtorëve. Një provë tjetër e Organit të Akuzës janë pamjet filmike të transmetuara dje në "Top Media", ku dukeshin qartë se në fabrikë punonin fëmijë. Pamjet po analizohen dhe do të përdoren në masën e sigurisë ndaj tre të ndaluarve, Mihal Delijorgji, kunati i tij, Dritan Minxholi, me detyrë drejtor ekzekutiv i kompanisë "Albademil" dhe drejtori i firmës "Meico", Ylli Pinari. s.çobo

Prokuroria

Harta e municioneve, sekret ushtarak

Seksioni Ushtarak në Prokurorinë e Tiranës ka filluar hetimet për nxjerrjen e sekretit ushtarak, pas publikimit në gazetën "Shqip" të një harte ku dukeshin qartë të gjitha "zonat e minuara" në Shqipëri. Hetuesit e prokurorisë do të marrin në pyetje disa ushtarakë të lartë, të cilët dyshohen se publikuan hartën. Një ndër provat e akuzës mund të jetë emisioni "Shqip" në "Top Channel", ku u ripublikua harta, ku dukeshin me "njollë" të kuqe të gjitha vendet e rrezikuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›