"Diskriminimi pozitiv" i serbëve
Pavarësia e Kosovës është njohur nga shumica e vendeve demokratike e më të përparuara të komunitetit ndërkombëtar dhe vazhdon të njihet zyrtarisht çdo ditë nga shtete të ndryshme të globit. Përreth 20 e ca ditë, duke filluar nga 17 shkurti, Republika e Kosovës për hir të njohjes masive ndërkombëtare, është bërë subjekt i bashkësisë shtetërore botërore. Strukturat shtetërore të të dyja niveleve, qendrore e vendore, të zgjedhura demokratikisht nga populli i Kosovës, po konsolidohen e po veprojnë me devocion, maturi e mençuri brenda kuadrit të hapësirave ligjore te ne.
Nuk mund të rri indiferent ndaj përmbajtjes së ligjit themeltar të Republikës së Kosovës, që pritet të miratohet së shpejti dhe që do të jetë burimi dhe mbështetja e së gjithë infrastrukturës ligjore, që pritet të krijohet me kompetencë, përgjegjshmëri e përgjegjësi nga të gjithë deputetët e Kuvendit për më të mirën dhe mbarëvajtjen e shpejtë progresive të shtetit tonë të saposhpallur.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sipas deklarimit të Komisionit Kushtetues, do të jetë "ndërthurje e 100 varianteve". "Ne kemi shqyrtuar mbi 100 kushtetuta, shprehet kryetari i Komisionit Kushtetues, përfshirë këtu edhe modelin indian, Kushtetutë që peshon 30 kg dhe është më e gjata në botë.
Të përzgjedhësh është prirje interesash për të arritur më të mirën. Komisioni ynë Kushtetues besoj se është prirur dhe ka pasur aftësinë dhe mençurinë për të hartuar një draft kushtetute, që pritet të miratohet e të bëhet vepruese, pas miratimit, në interes të shumicës së qytetarëve, të shqiptarëve dhe të respektimit dhe realizmit të të gjitha të drejtave qytetare-demokratike të minoriteteve në Kosovë.
Në pritje të konsolidimit kushtetues të Pavarësisë së Republikës së Kosovës po shfaqen dy dukuri, që mendoj se duhen legjitimuar e trajtuar në kuadër të të drejtave demokratike për minoritetet, kurdoherë pa cenuar e dëmtuar konceptin themelor "barazinë mes qytetarëve" të një shteti. Me veprimet shtetërore të derisotme, kam krijuar përshtypjen se jo vetëm ne, por edhe UNMIK-u, po shfaqemi si "diskriminues pozitivë" ndaj pakicës serbe në Republikën e Kosovës.
Për ne, shqiptarët etnikë të Kosovës, termi "diskriminim pozitiv" jo vetëm ka qenë i pakuptueshëm, por edhe fare i panjohur. Ne donim kuptonim dhe përjetonim diskriminimin, duke u ndjerë dhe duke qenë faktikisht siç na cilësonte politika zyrtare e ish- Federatës Jugosllave, "qytetarë të dorës së dytë". Kemi ndjerë përçmimin etnik (na quanin shiptari, shiftari, shipci, shokovi), nuk na pranonim të ishim graduatë në strukturat e larta të shtetit dhe ishim të përjashtuar apriori nga të gjitha nivelet e pushtetit për shkak të kombësisë, duke përjashtuar këtu disa nga ata që ishin të përshtatshëm për pushtetin ("poshteni albanci")
Tashmë, që kemi shpallur pavarësinë, ne shqiptarët etnikë të Kosovës dhe institucionet tona shtetërore, duke u përpjekur të distancohemi nga diskriminimi ynë prej dekadash nga Serbia "rrezikojmë të rrëshqasim" drejt "diskriminimit pozitiv" të pakicave e sidomos, ndaj pakicës serbe.
Bashkëqytetarët tanë serbë, me nxitjen e drejtpërdrejtë të Beogradit, bojkotuan zgjedhjet për pushtetin vendor dhe qendror më 17 nëntor 2007. Megjithatë, u gjet një "modus" që t‘u ruheshin vendet "që u takonin" në këto instanca të pushtetit. Qytetarët serbë të Kosovës kundërshtuan praninë e UNMIK-ut dhe dogjën makinat e tij, dogjën pikat doganore dhe pushtuan me dhunë disa nga institucionet e rëndësisë së veçantë, siç qe rasti me Gjykatën e Mitrovicës, por askush nuk u penalizua për këto akte. Dhanë dorëheqjen, për arsyet që dihen, mbi 100 efektivë të forcave të rendit, dorëzuan edhe armët dhe uniformat, por atyre jo vetëm vazhdon t‘u jepet paga, por edhe u ruhet vendi i punës. Bllokohet prej 50 vetësh treni me pasagjerë i linjës Fushë-Kosovë-Leshak, Zveçan, dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës shprehet: "Ata i bëjnë dëm vetes së tyre".
Kuptohet, lëvizja nga superioriteti te barazia qytetare, krijon disbalancë dhe shqetësim tek ish-superiorët. Por kam bindjen që me miratimin e Kushtetutës dhe me krijimin e legjislacionit të domosdoshëm, pakica serbe në Kosovë do të ndihet realisht e barabartë në rrafshin e të drejtave qytetare dhe komode në shtëpitë, pronat dhe bizneset e veta. Ata e dinë që shqiptarët nuk janë hakmarrës, e dinë që ata janë fqinjë dhe miq të mirë në gëzime dhe në fatkeqësi. Ata e dinë, që, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë qenë më pranë ose më të "privilegjuar" nga diskriminuesit e Beogradit, se sa bashkëqytetarët e fqinjët e tyre shekullorë në Kosovë, shqiptarët.
Më pëlqen që Komisioni ynë Kushtetues deklarohet se, për hartimin e projektit tonë të Kushtetutës, ka shqyrtuar 100 kushtetuta. Por më tërhoqi vëmendjen "konsultimi" me Kushtetutën e Indisë, që për nga historia, madhësia e popullsisë dhe e territorit, as që mund të përqaset jo vetëm me Republikën Kosovës, por dhe me mbarë Kontinentin Evropian. Arsyeja për t‘u konsultuar edhe me Kushtetutën 30 kg dhe më të gjatën në botë, më shtyu të hulumtoj rreth saj... Për të mbështetur opinionin tim, po citoj "Fjalorin Politik" të Oksfordit (Ian M.c Lean, bot. shqip., v. 2001) ku thuhet: "Në Indi, ku ndoshta ekziston sistemi më i gjerë i "diskriminimit pozitiv në botë, kjo politikë ka të bëjë me të gjitha shfaqjet e jetës. Sipas Programit 9 të Kushtetutës Indiane, për kastat më të ulëta rezervohen vende në institucionet shtetërore, arsimore dhe politike të të gjitha niveleve. Përkrahësit e këtij sistemi e shohin këtë si një borxh historik, që grupet sunduese të një shoqërie të dhënë u kthejnë grupeve të paprivilegjuara si një proces, që do të çojë në shoqëri më të integruara".
Komisioni Kushtetues të më falë për këtë përqasje, por më shtyu drejt kësaj rrjedhe arsyetimi edhe përpjekja e rezultati i implementimit të Gandizmit për arritjen e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë rast, përvoja indiane dështoi, kurse sot marrja e përvojës prej Kushtetutës Indiane është e paaplikueshme, sepse:
- Ajo sanksionon "diskriminimin pozitiv" të kastave më të ulëta nga shtresat apo kategoritë më të larta historikisht, si "borxh historik". Kurse ne, shqiptarët etnikë të Kosovës, nuk i kemi "borxh" askujt, madje, na kanë "borxh".
- Popullsia etnike shqiptare e Kosovës për gati 100 vjet, ka përjetuar persekutimin, gjenocidin, nënçmimin e përjashtimin për të qenë të barabartë e të barasvlefshëm në strukturat politike, ekonomike, arsimore, kulturore, shkencore, ushtarake etj. Kemi qenë të diskriminuar! Dhe duke qenë të tillë, edhe në kushtet kur kemi arritur dhe gëzojmë lirinë, aspirojmë e synojmë barazinë politike, ekonomike dhe sociale.
- I privilegjuari historikisht ka detyrimin e borxhit ndaj të "diskriminuarit". "I diskriminuari" ofron sinqerisht dhe ligjërisht barazinë përballë ligjit dhe të gjitha institucioneve legale shtetërore. Këtë ofron dhe do ta ofrojë ligjërisht dhe institucionalisht për bashkëqytetarët tanë serbë, por edhe për pjesëtarët e pakicave të tjera etnike në Republikën e Pavarur të Kosovës.
"Diskriminimi pozitiv" i bashkëqytetarëve tanë serbë në Kosovë nuk do të ishte as dinjitoz dhe as i favorshëm për ta. Nuk do të ishte i favorshëm, sepse në këtë mënyrë, diskriminohen grupime apo shtresa sociale, që dihen. As "frika" më shumë e injektuar së jashtmi, pjellë e propagandës antishqiptare, se shqiptarët do të "hakmerren" ndaj tyre, nuk i qëndron përballjes me realitetin. Shteti i ri i Kosovës jo vetëm me premtimet, por edhe me kuadrin ligjor, u ka lejuar dhe po u garanton lirinë dhe barazinë në parametrat më të përparuara demokratike. Kërkesa dhe insistimi për trajtim kushtetues me statusin e "Diskriminimit pozitiv", nuk do të jetë aq në favor, se sa në dëm të tyre.
"Diskriminimi pozitiv" është përdorur dhe do të vazhdojë të përdoret nga politika për të stimuluar e mundësuar pjesëmarrjen e kontributin e shtresave dhe kategorive të veçanta sociale në jetën e strukturave dhe veprimtarinë publike. Këtë lloj diskriminimi e kanë përdorur laburistët britanikë ndaj grave për të tërhequr anëtarësimin e tyre në parti. Ai është përdorur në vitet 1970, në SHBA, për të shtuar mundësitë për arsimim të një grupi shoqëror, duke u rezervuar një numër të caktuar vendesh në institucionet arsimore. "Diskriminimi pozitiv" është përdorur edhe në Shqipëri në vitet ‘90, për arsimimin e bijve dhe të të afërmve të të persekutuarve politikë.
Këta shembuj dëshmojnë vetëm një fakt: Mund dhe duhet të "diskriminohen pozitivisht" ish të diskriminuarit, shtresat apo kategoritë sociale periferike të jetës aktive e produktive politiko-ekonomike, apo etnitete të natyralizuara e të dispozuara për t‘i qëndruar larg civilizimit. Kam përshtypjen, madje jam i bindur, që bashkëqytetarët tanë serbë nuk do të ishin dakord dhe nuk do të pajtoheshin kurrë me një trajtim të tillë nga shteti i Kosovës, sepse nuk janë dhe nuk mund të pranojnë asnjëherë një status "përkëdhelës", të destinuar për shtresat dhe kategoritë e sipërpërmendura. Qytetarët tanë serbë janë dhe të jenë të sigurt se do të vazhdojnë të jenë të barabartë mes të barabartëve në Republikën e Pavarur të Kosovës.