"Qeveria refuzon të na japë projekte çmontimi"
Në mes të kodrave të Skraparit, në një sipërfaqe prej 66 hektarësh është ndërtuar Uzina e Prodhimit të Municionit në Poliçan, sot një ndërmarrje që merret me çmontim armësh dhe prodhim të pakët fishekësh, në bazë të porosive. Uzina u ndërtua në vitin 1966. Për rastësi të viteve ndoshta, edhe në hartë, sipërfaqja në të cilën ishte shtrirë uzina ishte 66 ha. Kodrat që e rrethojnë janë të bunkerizuara, me tunele për mbajtjen e armatimit. Ky gjigant i prodhimit të municioneve ka nxjerrë specialistët më të mirë të çmontimit të armëve dhe ka kushtet më të sigurta për ta realizuar këtë proces.
Asnjë rrezik
Qeveria "Meta" nxori në vitin 2000 një vendim, sipas të cilit, brenda uzinës të ngrihej një repart i specializuar për çmontimin e municioneve. Që prej këtij viti, ky repart dhe ndërmarrja varet nga Ministria e Mbrojtjes. Është një ndërmarrje me vetëfinancim, d.m.th. çmontojnë, nxjerrin skrap, e shesin dhe paguajnë punëtorët. Prej vitit 2000 deri më sot janë asgjësuar 18 mijë tonë municione.
Ndryshe nga Gërdeci, në Poliçan janë të gjitha kushtet e çmontimit të municioneve. Punonjësit e kësaj uzine janë të specializuar. Madje, procesi i çmontimit të predhave realizohet në distancë nga punëtorët. Në një dhomë të blinduar ndodhet një aparaturë ku vendoset predha. Komandimi i çmontimit bëhet në distancë dhe punëtori nuk është i rrezikuar aspak. Në çdo mur të ish-kombinatit shikon parulla që paralajmërojnë rrezikun, nëse nuk respekton rregullat e sigurimit teknik. Rregullorja është e afishuar dhe të gjithë punëtorët janë të detyruar ta respektojnë. Në procesin e çmontimit nuk punon asnjë punëtor i ri. "Te ne nuk ka punëtorë të rinj", tregon për "Fiks Fare" një nga çmontuesit.
Përvoja
Të gjithë punëtorët e kësaj ndërmarrjeje kanë përvojë dhjetëravjeçare në këtë profesion. Fillimisht kanë punuar në sektorë të ndryshëm të prodhimit të municioneve. Meqë nga duart e tyre kanë dalë të gjitha municionet e fshehura sot në tunelet e vendit, ata janë edhe specialistët më të mirë të çmontimit, sepse ata vetë i kanë prodhuar. "Kam 26 vjet punë në këtë kombinat. Kam 8 vjet që punoj në demontim dhe nuk ka ndodhur asgjë. Ne trajnohemi 7-10 ditë për çdo artikull të ri që çmontojmë", tregon më tej ai.
Një tjetër çmontues, Petrit Sulaj, që punon në këtë ndërmarrje prej vitit 1984, thotë se të gjithë janë të kualifikuar për çmontimin e predhave. Ai tregon si i çmontojnë predhat e kalibrave të ndryshëm në një dhomë të blinduar, pa qenë e nevojshme ta prekin atë me dorë. "Çdo artikull që përmban ushtria jemi në gjendje ta çmontojmë dhe jemi të specializuar për ta bërë këtë", tregon një çmontues, i cili ka 7 vjet që bën këtë punë. Ndërkohë, baruti që nxirret nga këto municione digjet larg ambienteve ku bëhet çmontimi, në poligon.
Incidenti i vetëm
Adi Elezi, një tjetër punëtor, thotë se mban mend vetëm një incident, në vitin 1985, në Kombinatin e Poliçanit, kur u dogjën me barut dy gra. Aksidente të tjera duket se nuk kanë ndodhur. Sipas tij, asnjë punëtor i ri nuk përfshihet në çmontim. Shahin Shmilli, i cili ka një përvojë 25-vjeçare në procesin e montimit të fishekut, kohët e fundit punon në çmontim. Ai tregon se ka punuar në linjën e heqjes së TNT nga predha dhe se çdo repart ka hidrantët e ujit, që kur aktivizohen shmangin rritjen e temperaturave në vendet ku prodhoheshin municione dhe ku sot çmontohen. "Punëtorët njohin pjesët, kanë punuar në prodhim dhe e dinë nga duhet ta zënë për të çmontuar një predhë", tregon një nga punëtorët e vjetër të Poliçanit.
Të gjithë këta punëtorë, si edhe banorët e Poliçanit, pjesa më e madhe e të cilëve janë të specializuar për çmontimin e municioneve, kërkojnë nga qeveria shqiptare që projekte të tilla të mos i zbatojnë në vende që rrezikojnë jetën e njerëzve dhe ku punojnë "amatorë". Kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, tregon se sasia e municionit që ndodhej në Gërdec përbënte 0,1% të prodhimit të Poliçanit. Janë 3500 punëtorë të këtij kombinati që sot kanë mbetur pa punë dhe janë specialistë shumë të mirë të asgjësimit të municioneve. "Këta punëtorë, të cilët përgjatë 40 viteve kanë montuar municione, mund ta bëjnë pa problem çmontimin e municionit që kanë prodhuar vetë", shton ai. Në vitin 2008, ndërmarrja ka gati një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes për të asgjësuar 4 mijë tonë predha të kalibrave të ndryshëm. Në katër muajt e fundit të 2007-ës, kjo ndërmarrje çmontoi 1866 bomba aviacioni 150 dhe 250 kilogramëshe të armatimit kinez, që janë shumë më të mëdha se një predhë topi.
Detaje
-Viti 2000 u asgjësuan 400 tonë
-Viti 2001 u asgjësuan 2300 tonë
-Viti 2002 u asgjësuan 2805 tonë
-Viti 2003 u asgjësuan 4600 tonë
-Viti 2004 u asgjësuan 2635 tonë, nga 3000 të parashikuar, pasi u punua deri në muajin tetor
-Viti 2005 u asgjësuan 3349 tonë, nga 4200 të parashikuar
-Në qershor të vitit 2005, projektet e asgjësimit të municioneve u ndërprenë
-Viti 2006 u asgjësuan 422 tonë (një e dhjeta e sasisë që u dha në vitin 2005)
-Këto ishin projekte të miratuara nga Ministria e MbrojtjeS
-Në vitin 2006, në mënyrë automatike Ministria e Mbrojtjes e ndërpreu mënyrën e asgjësimit dhe çoi 1/10 e sasisë së një viti më parë dhe i kërkoi ndërmarrjes që të zbatonte projekte me donatorë
-Në vitin 2007 kjo ndërmarrje realizoi një projekt asgjësimi municionesh nëpërmjet NAMSA-s. Meqenëse projekti i NAMSA-s dhe Departamentit të Shtetit Amerikan për asgjësimin e 1866 bombave përkatësisht 100 kg, 150 kg dhe 250 kg, të ardhura nga baza ajrore e Kuçovës, përfundoi brenda 3 muajve, ndërmarrja e Poliçanit, i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes firmosjen e një kontrate të re për asgjësimin e katërmijë tonëve municione, të depozituara në disa tunele afër Poliçanit
-Që nga muaji janar 2008, që është kërkuar miratimi i kësaj kontrate, firmosja është shtyrë me justifikimin se nuk është bërë gati reparti i çmontimit. Në fakt, brenda ndërmarrjes po ristrukturohet një repart i ri, i cili më parë shërbente për prodhimin e detonatorëve të minave antitank dhe në 1992-shin ishte mbyllur
-Për shtatë vjet kjo ndërmarrje ka punuar për çmontimin e municioneve, pra mund të çmontohet në repartin ekzistues çdo lloj municioni, deri në kalibrin 120 mm që është prodhuar në këtë kombinat
-Fisheku i parë 7.62x39 mm, model 1956 u prodhua në mënyrë artizanale (jo me proces teknologjik në linjën e parashikuar në projekt) më 9 shtator 1966
-1967 është viti i prodhimit të parë të produktit të linjës së predhave 82 mm për mortajat
-Në vitin 1986 uzina u quajt Kombinati Mekanik i Poliçanit Ndryshimi i emrit u bë për shkak të sigurisë kombëtare
-Prej vitit 1991 me reformimin e ushtrisë shqiptare, ish-kombinati është repart i ushtrisë, në të cilin ka disa linja prodhimi fishekësh, kryesisht me porosi nga institucionet që e kërkojnë
-Deri para viteve 1990, në të punonin rreth 3500 punëtorë, të gjithë banorë të Poliçanit. Ky kombinat prodhonte rreth 40 milionë fishekë në vit
-Qyteti, fillimisht me një qendër administrative dhe 5-6 pallate, u ndërtua mbi uzinë. Ai u shtri gjatë luginës së Osumit, 10-15 km larg nga qendra, në lagjet Pronovik, Kalluç, Plirëz, Mbrakull e Shëntod
-Tunelet u ndërtuan përballë Kombinatit, në shpatin e Tomorit, në një shkëmb monolit. Punimet, që nga ndërtimi i tyre, vazhduan për 15 vjet me radhë
-Tunelet kishin një sipërfaqe totale prej 35000 m katrorë, me galeri të lidhura me njëra-tjetrën që arrinin në 100-150 m thellësi dhe lartësi 11 metra. Për shkak të rreziqeve, punohej me një rregull të përsosur dhe disiplinë të lartë pune