E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Pepa sherr në Burgun e Peqinit me një të dënuar

• Agim Pepa, i dënuar përjetë për vrasjen e komisar Gani Malushit dhe shoferit të tij Gjovalin Ndreu, është përfshirë në një grindje banale mesditën e djeshme me një të dënuar tjetër në njërën nga fushat e ajrimit të Burgut të Peqinit.Fatos Mahmutaj  Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga ky institucion ndërsa bëhet i ditur se i burgosuri tjetër që është përplasur me Pepën është Artan Farruku dhe ky i dënuar për vrasje. Sipas burimeve nga burgu të dy të dënuarit e përfshirë në grindje me njëri-tjetrin ndërsa ndodheshin në fushën e ajrimit. Fillimisht ata kanë shkëmbyer sharje midis tyre pas debatit që filloi kur Agim Pepa i tha të dënuarit tjetër pse nuk e kishte përkrahur në një konflikt tjetër të ndodhur në burg tri ditë më parë. Por ndërhyrja në kohë e bashkëvuajtësve të tyre dhe personelit të burgut ka bërë që gjithçka të neutralizohet dhe të dy të burgosurit të mbylleshin në qelitë e tyre. Pas kësaj policia e burgut ka nisur verifikimin e rrethanave që çuan në grindje, ndërsa nuk dihet ende çfarë masash janë marrë ndaj dy të burgosurve problematikë.Burgu Agim Pepa, i cili ndodhet në qelitë e Burgut të Peqinit prej katër vjetësh, rreth dy vjet më parë u përfshi në një tjetër grindje në fushën e ajrimit të burgut. Kundërshtari i tij atëherë ishte Petrit Lleshi, një nga anëtarët e “Bandës në Niklës”, i cili u arrestua nën akuzën e vrasjes së biznesmenit të hekurit Florian Vila, por që iu pushua shumë shpejt pasi nuk u gjet asnjë provë ndaj atij. Tashmë Lleshi po vuan një dënim me 12 vjet burg për tentativë vrasjeje, por aktualisht ndodhet i paraburgosur në kryeqytet si anëtar i “Bandës së Niklës”. Ndërsa Pepa vazhdon të mbahet i burgosur në Peqin. Në këtë burg më parë ndodhej edhe Pjetër Pepa, vëllai i madh i Agim Pepës, por ai tashmë e ka përfunduar dënimin dhe është i lirë. Procesi I akuzuari Agim Pepa u dënua burg përjetë nga Krimet e Rënda pasi u gjet fajtor për vrasje të dyfishtë. Mesditën e 6 gushtit 2003 Pepa qëlloi ndaj makinës së Malushit, i cili atëherë mbante postin e shefit të Komisariatit të Krujës. Si pasojë e breshërive të “Kallashnikovit” mbeti i vdekur në vend shoferi Gjovalin Ndreu, ndërsa Malushi vdiq një ditë më vonë në Spitalin Ushtarak. Pas kësaj Pepa u shpall në kërkim por për rreth dy vjet nuk u bë e mundur arrestimi i tij, derisa u vetëdorëzua në prill, të vitit të 2004, ndërsa kishte nisur procesi te Krimet e Rënda. Gjatë deklarimeve të dhanë para gjykatës Pepa pohoi se qëllimi i tij ishte të vriste Ndreun, shoferin e Malushit, i ati i të cilit kishte vrarë babanë e Pepës. Ndërsa në lidhje me vrasjen e Malushit, Pepa tha se nuk kishte aspak qëllim dhe madje nuk e dinte që ai ndodhej në makinë me hasmin e tij. Akti i ekspertimit kriminalistik pohoi se Malushi ishte qëlluar nga një plumb vdekjeprurës në bark, i cili e kishte goditur pas një rikoshete shformuese në pjesët metalike të derës së makinës. Në fund të procesit gjykata e dënoi Pepën 22 vjet për vrasjen për hakmarrje të Ndreut dhe burgim të përjetshëm për vrasjen e Malushit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›