Plagosja e rojeve të Agim Shehut, dosja në gjyq
• TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundon hetimet dhe dërgon në gjykatë dosjen penale për plagosjen e tre efektivave të policisë që ruanin ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Agim Shehu në vitin 1997.Më datë 7 shkurt Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur dërgimin e akteve të dosjes në gjykatë pas zbulimit të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja. I akuzuari i kësaj dosje është Aldo Ndoci, 36 vjeç banues në Tiranë i arrestuar. Ai pritet të përballet me akuzën “vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim dhe të mbetur në tentativë” në gjykatë pasi Prokuroria përfundoi hetimet ndaj tij lidhur me ngjarjen e ndodhur më 23 qershor 1997. Atë ditë rreth mbrëmjes i pandehuri akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tre agjentëve të Policisë Kriminale që ishin ngarkuar të ruanin dhe të siguronin banesën në bulevardin “Bajram Curri”, ku qëndronte ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Agim Shehu. Si pasojë e të shtënave tre efektivat e policisë janë plagosur por nuk kanë braktisur vendqëndrimet e tyre duke arritur të mbrapsin personin që kishte qëlluar me armë si dhe një tjetër bashkëpunëtor të dyshuar të tij. Ngjarja në letra mbeti pa autor për disa vite ndërsa më pas policia kriminale filloi të administronte informacione operative për këtë ngjarje duke arritur edhe në emrat e të dyshuarve si autorë të saj. Në vitin 2005 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është vendosur regjistrimi i procedimit penal dhe rihapja e hetimeve pasi të dhënat e mbledhura nga policia ishin të mjaftueshme për autorin e dyshuar. Mbrëmjen e 8 dhjetorit 2005, rreth orës 22:30 forcat speciale të repartit RENEA kanë kryer arrestimin e të akuzuarit për këtë ngjarje. Operacioni u zhvillua në rrugën “Vasil Shanto” në Tiranë pas informacioneve të marra nga policia për vendqëndrimin e të kërkuarit. Sipas të dhënave hetimore mësohet se arrestimi i të kërkuarit për plagosjen e tre policëve që ruanin banesën e Agim Shehut është bërë vetëm një ditë pasi ai ishte kthyer nga Gjermania dhe po qëndronte në Tiranë. Pas këtyre të dhënave policia hartoi planin operacional për arrestimin e të kërkuarit i cili është gjetur në banesën e tij në momentin kur policia i vendosi prangat. Prokuroria nuk preferoi të bëjë publike detaje të tjera lidhur me ngjarjen duke pohuar se ato do të analizohen gjatë gjykimit të çështjes në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Mësohet se aty janë thirrur për të dëshmuar edhe disa persona me dijeni për ngjarjen të cilët kanë parë në mënyrë okulare të shtënat me armë në drejtim të tre agjentëve të Policisë Kriminale që ishin ngarkuar me sigurimin e banesës së Agim Shehut, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë. tr.so