E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drita merr çmimin zyrtarisht

Ishin vitet e 70-ta të shekullit të kaluar kur plejada e vjetër e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës pranojnë pranë vetes një aktore të re.
Ishte ajo aktorja Drita Krasniqi. Për njëzet vjet apo më mirë të themi deri në vitin 90-ta, Drita tregoi kualitetet e saj.

Më vonë skena e Teatrit të Kosovës pëson një shok dhe shkatërrohet pothuajse e gjitha. Për afro 10 vjet, amullia vazhdoi, ndërsa pasojat e asaj kohe i vuan edhe sot komuniteti. Të hënën Ministri i Kulturës Valton Beqiri, i ka dhënë asaj edhe zyrtarisht çmimin vjetor për teatër “Katarina Josipi”.

Beqiri i ka uruar Krasniqit vazhdim të aktiviteteve profesionale por edhe një jetë të gjatë.
“Me rolet e saj ekspresive identifikohet shumë në shfaqjet e realizuara në teatrin tonë, plot 40 vite. Pra MK dhe Teatri Kombëtar e njohin dhe çmojnë lart përkushtimin, energjinë, talentin, kreativitetin, profesionalizmin dhe kontributin e saj të jashtëzakonshëm në skenën e teatrit”, tha Ministri Beqiri.

Ndërsa ajo që u nderua, Drita Krasniqi falënderoi komisionin vlerësues, publikun, kolegët por edhe gazetarët të cilët e kanë përcjellë atë gjatë gjithë karrierës.

“Këtë çmim që unë e marr sot është merita e gjeneratave që kanë qenë pionierë të teatrit. Kur erdhëm ne, gjeneratë e shkolluar na pritën duar hapur dhe na dhanë një mbështetje të madhe”, tha Drita.

Krasniqi ka shtuar se shpreson që do të lë gjurmë të mëtutjeshme në skenë e Teatrit.

“I falënderohem po ashtu letërsisë dhe dramaturgjisë shqiptare dhe botërore që përmes roleve që i kam luajtur unë vetëm jam pasuruar dhe kam investuar në vete duke luajtur personazhe dhe karaktere të ndryshme. Prandaj unë mund të them që i kam 1 mijë vite”, tha Drita, duke buzëqeshur.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›