E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish- deputeti Neranxi shpallet i pafajshëm

VENDIMI
Gjykata vendosi të shpallte dje pafajësinë për ish- deputetin e LSI-së, pasi sipas saj subjekti kontrabandues nuk ishte në emrin e tij


TIRANË- Ish- deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi, u shpall dje i pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë për akuzat që pretendonte ndaj tij Prokuroria për kontrabandimin e mallrave gjatë një periudhe tri vjeçare, nga viti 2001-2004.


Vendimi për të mos deklaruar fajtor biznesmenin dhe ish-deputetin e legjislaturës së kaluar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, u mor dje nga gjyqtari i çështjes, Sokol Tona, tri javë pasi ndaj tij Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar dënimin e tij me 10 milionë lekë gjobë. Argumenti i Gjykatës, pasi është dëgjuar edhe pala mbrojtëse ka qenë se biznesin e ish- deputetit të Lëvizjes Socialist për Integrim, në kohën për të cilën akuzohej për konsumimin e veprës penale të kontrabandës së mallrave e drejtonte babai i tij, i cili nuk jeton më.


Në seancën e datës nëntë mars të këtij viti, prokurori i njësisë së Task-Forcës së luftës kundër Krimit Ekonomiko Financiar në Prokurorinë e kryeqytetit, i kërkoi gjyqtarit të çështjes, Sokol Tona, deklarimin fajtor për ish-deputetin e LSI-së Nikollaq Neranxi për kryerjen e veprës penale të "Kontrabandës me mallra të tjera" dhe ta dënojë atë me 10 milionë lekë të reja gjobë.


Por, nëse gjykata do të vendoste të pranonte pretencën e Prokurorisë, Neranxi do të përfitonte uljen e 1/3 së dënimit përfundimtar, për shkak të shqyrtimit të gjykimit të shkurtuar.


Sipas konkluzioneve të Prokurorisë së kryeqytetit, punonjësit e ish-deputetit Neranxi kanë kaluar mallra pa paguar detyrimet doganore në 21 raste, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 13 milionë e 664 mijë lekë të reja.


Kjo shumë, është shkaktuar nga mos pagimi i doganës nga punonjësit e kompanisë së ish-deputetit në pikat e kalimit kufitar me Greqinë, në 21 raste duke kaluar kontrabandë mallra si kaseta, albume fotografike, CD apo filma fotografikë. Ndërkohë, në seancat gjyqësore të kësaj çështje, vetë ish-deputeti i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si "politike".


Këtë qëndrim i pandehuri Neranxi e ka mbajtur edhe gjatë fazës hetimore, në kohën kur Prokuroria e Përgjithshme kishte filluar hetimet duke i kërkuar kryetares së Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit të LSI-së.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›