E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimi, personat që kanë paguar mund të tërheqin paratë nëse kanë bono



Eljona Ballhysa
Është botuar dje në Fletoren Zyrtare ligji i miratuar pak kohë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë për përdorimin e letrave me vlerë në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale. Kjo i hap rrugën ALUIZNI-t që të nisë zbatimin në praktikë të këtij ligji. Ky ligj parashikon që personat që ende nuk kanë shlyer detyrimet financiare në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale kanë të drejtën e përdorimit të letrave me vlerë deri në masën 80% të vlerës. Ligji gjithashtu u jep mundësinë personave që kanë shlyer detyrimet financiare për objektet me leje që të bëjnë kërkesë për të tërhequr paratë në rast se disponojnë bono privatizimi, ose letra me vlerë. Në një prej dispozitave të ligjit parashikohen efektet prapavepruese të tij, duke u dhënë mundësinë personave që kanë kryer këto pagesa për legalizimin e ndërtimeve para hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligj, në mënyrë që të përfitojnë nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit, apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë në këmbim të dorëzimit të bonove. Personat duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t dhe afati për të përfituar është 3 muaj.
Ligji
Ligji është miratuar vetëm pak kohë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë. Në ligj është parashikuar që bonot e privatizimit të shpërndara për ish-të përndjekurit politik dhe subjekteve të tjera gjatë privatizimeve të objekteve shtetërore të kenë të njëjtin trajtim me bonot e privatizimit që do të përdoren për legalizimet e ndërtimeve pa leje. Sipas ligjit, të gjitha taksat dhe detyrimet financiare që rrjedhin nga kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore do të paguhen me para, ndërsa tarifa e legalizimit paguhet me letra me vlerë. Në projektligj janë parashikuar ndryshime të rëndësishme, sidomos në nenet 19, 20 dhe 21, ku parashikohet që për sipërfaqe që deri tani aplikohej tarifa në përputhje me vlerën e plotë të tregut, nuk mund të aplikohet pjesërisht pagesa me bonot e privatizimit. Në funksion të idesë së përdorimit të pagesës me bono privatizimi janë bërë ndryshime edhe në dispozitën që lidhet me dokumentacionin ligjor për legalizimin dhe ndërtimin e ndërtesave informale, ku është parashikuar që subjekti mund të paraqesë kërkesë për mënyrën e pagesës për legalizimin e ndërtimit pa leje.
Skema e pagesës
Ligji parashikon dy elemente të rëndësishme përsa i përket shlyerjes së detyrimit financiar nëpërmjet përdorimit të bonove të privatizimit. Elementi i parë parashikon rastin kur parcela ndërtimore ka për funksion banimin. Në këto raste poseduesi i objektit informal mund të shlyejë 80% të detyrimit financiar duke përdorur bonot e privatizimit ose letrat me vlerë. Në rastet kur parcela ndërtimore ka funksion social ekonomik, poseduesi ka mundësi që nëpërmjet skemë së re financiare të paguajë detyrimin financiar duke përdorur letrat me vlerë për 50% të vlerës. Përsa u përket shtesave në pallate në këtë ligj parashikohen dy raste. Në rastet kur shtesa është bërë në pallatet e vjetra të para vitit 1993 dhe kur shtesa përdoret për banim, qytetari shlyen 80% të vlerës financiare me bono privatizimi. Në rastet kur shtesa është bërë në katet e para, atëherë poseduesi paguan 50% të detyrimit financiar, por vetëm për pjesën takuese, pra pjesa takuese është vetëm pjesa që i takon banorit të katit të parë. Në rast se pallati është pesëkatësh dhe pjesa që i takon atij të katit të parë është rreth 100 metra katrorë, atëherë ai do të paguajë vetëm 1/5 e sipërfaqes. Ndërsa pjesa tjetër do të paguhet nga banorët e tjerë të pallatit. Nga ky ligj nuk mund të përfitojnë pallatet e reja që kanë bërë shtesa përtej lejes së ndërtimit. Kjo kategori nuk përfiton për shkak se kanë detyrimin për të paguar taksa që më pas i shkojnë pushtetit vendor, siç është taksa e ndikimit në infrastrukturë për të cilën nuk mund të përdorin letrat me vlerë, por shlyerja e detyrimeve duhet të bëhet me para kesh.

Skema
Parcelë ndërtimore që përdoret për banim, 80% të vlerës me letra me vlerë
Parcelë ndërtimore që përdoret për biznes, 50% të vlerës me letra me vlerë
Shtesat në pallatet e vjetra që përdoren për banim, 80% të vlerës me letra me vlerë
Shtesat në pallatet e vjetra që përdoren për biznes, 50% të vlerës me letra me vlerë
Shtesat në pallatet e reja shlyhen vetëm me para kesh dhe nuk përfshihen në skemë

Rifutja në treg, rritet vlera e bonove të privatizimit

Letrat me vlerë kanë nisur të kthehen në një prej elementeve më të shkëmbyer në tregun e kambizmit në vend, ku shkak është bërë rritja e shpejtë e vlerës së tyre. Shkak për këtë rritje të menjëhershme janë bërë pronat dhe ndërtimet e paligjshme, të cilat qeveria pritet t’i legalizojë duke pranuar edhe pagesat me letra me vlerë. Vlera e këtyre bonove në treg është rritur brenda katër muajve në një vlerë të konsiderueshme, krahasuar me atë që kishin më parë. Vlera e tyre ka arritur në 20 për qind dhe prirja është që ato të vijnë e të vlerësohen edhe më. Në qershor të këtij viti, vlera e tyre ishte vetëm 5 për qind dhe madje në disa raste edhe 4,5 për qind, duke i bërë ato praktikisht të pavlefshme. Miratimi së fundi i projektligjit për legalizimin e ndërtimeve informale nëpërmjet përdorimit të letrave me vlerë ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e vlerës së tyre. Në njëfarë mënyre përdorimi i letrave me vlerë bën që pronarët e banesave që do të legalizohen, ta kenë shumë më të lehtë pagesën e detyrueshme për legalizim. Përqindja e letrave me vlerë që pritet të përdoren në procesin e legalizimeve të ndërtimeve informale, apo siç njihen ndryshe bono privatizimi, është rritur ditët e fundit. Nga një vëzhgim i bërë një ditë më parë në tregun e lirë valutor rezulton se ato këmbehen nga 19-20 për qind. Bonot e privatizimit janë rikthyen në treg me një rritje të ndjeshme të vlerës së tyre që nga mesi i muajit qershor. Këshilli i Ministrave vendosi që qytetarët shqiptarë që do të legalizojnë objektet pa leje do të kenë të drejtë që 80 për qind të vlerës së tyre ta paguajnë me letra me vlerë. Nga kjo pagesë do të përjashtohet vetëm taksa e infrastrukturës, e cila paguhet pranë pushtetit lokal. Për qytetarët, të cilët e kanë paguar vlerën njëqind për qind, në bazë të vendimit të qeverisë, do t'u rimbursohet 80 për qind e vlerës që ata do ta paguajnë me letra me vlerë. Ndërsa sipërfaqen jashtëligjore, të cilën ligji e parashikon që të paguhet me vlerën e tregut, qytetarët do ta paguajnë 50 për qind me letra me vlerë dhe 50 për qind me para. Numri i përgjithshëm i pasurive informale është rreth 350 000, me shtrirje në një sipërfaqe prej 320 000 hektarësh në shkallë vendi. Në procesin e legalizimit, përmes vetëdeklarimit vullnetar të poseduesve të ndërtimeve informale janë përfshirë mbi 270 mijë objekte.

12 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›