E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Çeku dëbohet nga Kolumbia

Bogota - Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku është larguar nga Kolumbia drejt Kosovës pasi u dëbua nga autoritetet e atjeshme me kërkesë të Beogradit. Qeveria e Kolumbisë, është arsyetuar para Çekut, mirëpo ajo me shkrim ka marrë një vendim që ai duhet të largohet nga Kolumbia.

Çeku ka deklaruar për BBC se kjo ka ndodhur një ditë para se ishte e planifikuar, sepse Interpoli kërkon arrestimin dhe deportimin e tij për në Serbi. "Ata (autoritetet kolumbiane) më kanë thënë se nuk e kanë pranuar një gjë të tillë, por kanë gjetur një zgjidhje që të më deportojnë nga Kolumbia, gjë që unë e kam bërë", tha Çeku. Ai tha se i është ndalur hyrja në këtë vend për dhjetë vjet.

Çeku po merrte pjesë në punimet e një kongresi botëror për çmilitarizimin e ushtrive çlirimtare kur autoritetet serbe kërkuan arrestimin dhe deportimin e tij në Serbi, me akuzën se ka kryer krime gjatë luftës në Kosovë. Çeku, që është dhe Kryetari i Partisë Social Demokrate të Kosovës e ka cilësuar kërkesën e qeverisë së Serbisë për arrestimin e tij, mbi bazën e një fletarresti të lëshuar nga Interpoli serb, si të pavlefshme dhe pa vlerë ligjore mbi Kosovën dhe qytetarët e saj.

Fletarresti i Interpolit serb, dërguar përmes Interpolit Ndërkombëtar, u lëshua në shkurt të këtij viti, megjithëse një tjetër fletarrest ndërkombëtar për Çekun ishte hequr që në vitin 2006. Çeku ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të këtilla për qytetarët e Kosovës.

Ish-komandantit të TMK-së dhe gjatë luftës në Kosovë edhe komandant i ish-UÇK-së, i është ndaluar hyrja në Kolumbi për dhjetë vjet. Kolumbia është një nga 58 vendet e botës që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. /BBC/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›