Agimi i Artë në Greqi, Der Spiegel: Bandë vrasëse. Përfitojnë nga kriza
Greqi- Me titullin “Banda vrasëse”, i referohet veprimtarisë së Agimit të Artë dhe anëtarëve të saj me një reportazh të zgjeruar, revista gjermane “Der Spiegel”.
“Sa më shumë thellohet kriza në Greqi, aq më tepër përkeqësohet klima e frikësimit në rrugët e Greqisë”, thekson “Der Spiegel”, duke vazhduar: “askund tjetër në Evropë, neo-nazistët dhe ekstremistët nuk përfitojnë kaq nga kriza ekonomike, ashtu si në Athinë”.
“Për muaj, ekstremistët e djathtë shkaktojnë frikë dhe terror në Greqi. Sa më shumë thellohet kriza ekonomike, aq më të rrepta bëhen kushtet shtrënguese të huadhënësve evropianë dhe aq më tepër përkeqësohet klima e terrorit në rrugë. Shënohen sulme kundër të huajve, ndiqen homoseksualët, rrihen të majtët, por ka pasur dhe viktima. Në disa zona të Athinës, të huajt dhe pakicat nuk guxojnë të dalin jashtë në mbrëmje. Gazetarët dhe deputetët që stigmatizojnë fenomenin, i kërcënojnë ose i rrahin”, shkruan Spiegel.
“Ndërkaq, shumë prej viktimave nuk denoncojnë në polici”, thekson më tej revista, duke përmendur në veçanti përqindjet e larta që mori Agimi i Artë, në zgjedhjet e fundit.