E Diel, 1 Nëntor 2026

“Agimi” kap në flagrancë dy vëllezër me 1.16 kg heroinë



FIER – Dy vëllezër kanë dështuar në tentativën e tyre për të trafikuar një sasi heroine pasi janë ndaluar nga policia. Burimet zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Fierit bëjnë të ditur se në orët e para të mëngjesit janë arrestuar shtetasit Mirel dhe Ilir Çela. Ata janë ndaluar në kushtet e flagrancës, pasi gjatë kontrollit në mjetin e tyre, u gjetën 1.16 kilogram lëndë me ngjyrë bezhë, e cila dyshohet të jetë heroinë dhe më shumë se gjysmë kilogrami Canabis sativa. Sipas burimeve policore, për kapjen e tyre u organizua operacioni i koduar me emrin “Agimi”, i cili kishte nisur disa muaj më parë hetimin e dy trafikantëve. Bashkë me drogën e sekuestruar, policia ndaloi edhe një automjet me targa të Tiranës, 2500 euro dhe disa aparate celulare.
Ngjarja
Dy vëllezërit Çela janë zgjuar herët dhe kanë nisur punën për dërgimin e lëndës narkotike në destinacioni. Në makinën e tyre me targa TR 66-26 P kishin futur një sasi lënde narkotike dhe gjatë punës për realizimin e skenarit, ata janë përballur me një postbllok policor. Burimet zyrtare të policisë së Fierit, thanë se “vëllezërit Mirel dhe Ilir Çelo, përkatësisht të moshës 40 dhe 44 vjeç janë ndaluar nga policia rreth orës 06:30 të ditës së shtune gjatë kryerjes së një operacioni policor të koduar me emrin “Agimi”. Sipas burimeve të mësipërme, mësohet se vëllezërit janë kapur në flagrancë, duke transportuar 1.16 kg pluhur ngjyrë bezhë, i dyshuar si lëndë narkotike heroinë dhe 523 gram lëndë e dyshuar si farë Canabis sattiva. Mësohet se lënda e dyshuar si “heroinë” ishte e ndarë në 4 pjesë dhe e mbështjellë me natriban ngjyrë kafe.
Hetimi
Në lidhje me këtë ngjarje kanë nisur hetimet, në të cilat priten të përfshihen edhe persona të tjerë, përveç vëllezërve Çela. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1.16 kg të dyshuar si heroinë, 523 gramë farë Canabis sattiva, 2500 euro, 4 celularë, si dhe mjetin me targa TR 66-26 P të drejtuar nga Mirel Çelo. Lënda e dyshuar si narkotike është dërguar për ekzaminime shkencore në laboratorin e kriminalistikës në Tiranë. Drejtuesit e operacionit policor “Agimi”, dyshojnë se ka edhe bashkëpunëtor të tjerë nga rrethe të ndryshme, që janë përfshirë në rrjetin e trafikimit të drogave të llojeve të ndryshme. Materialet në ngarkim të Ilir dhe Mirel Çelës i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme. Ata akuzohen për “trafikim të lëndëve narkotike. Tre ditë më parë, një rrjet shpërndarësish droge në qytetin e Korçës është zbuluar nga policia në kushtet e flagrancës. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se u arrestuan shtetasit Rikard Cecami, Taulant Muça dhe Z. P. Në momentin e ndalimit, atyre iu janë gjetur dhe sekuestruar 70 doza heroine, e cila peshonte 253 gramë. Ndërsa dy ditë më parë autoritetet policore greke arrestuan një shtetas shqiptar 31-vjeç në lagjen Ano Patisia të Athinës, pasi iu gjetën 46 kg Canabis në banesën e tij. Po të njëjtën ditë në Janinë u gjetën edhe 110 kg Canabis në një makinë të braktisur, e cila dyshohej se vinte nga Shqipëria.

5 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›