E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lavrov: “Rusia nuk është përjashtuar nga bisedimet për Kosovën”



Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, është shprehur se Rusia nuk konsideron se është përjashtuar nga bisedimet për Kosovën, sepse kjo çështje shqyrtohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. I pyetur për takimin kushtuar Kosovës, në Londër në të cilin ai nuk ishte ftuar, ministri rus tha se nuk ishte në dijeni të këtij takimi. “Partnerët tanë kanë të drejtë që në formë reciproke të bisedojnë për çfarë të duan”,-është shprehur Lavrov duke shtuar se “nëse ndonjë vendim do të dilte jashtë Rezolutës 1244, atëherë ai do të kërkonte rezolute të re të Këshillit të Sigurimit”. Gjatë takimit të zhvilluar në Londër dy ditë më parë, sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, tha se synon të shmangë çdo lëvizje drejt ndarjes së Kosovës, pas pavarësisë së saj më 17 shkurt të këtij viti. “Ne duam të sigurojmë se nuk ekzistojnë përpjekje për ndarjen e Kosovës”, - deklaroi Rajs. Ajo tha se që prej shpalljes së pavarësisë, kosovarët kanë reaguar në mënyrë të përmbajtur dhe të përgjegjshme duke theksuar njëkohësisht se situata në Kosovë është pak e turbullt dhe askush nuk ka pritur që të mos jetë e tillë.

5 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›