Tadiç në Ohër: “Serbia, pjesë e bisedimeve për kufirin me Kosovën”
Kërkesa e Serbisë është të marrë pjesë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë për përcaktimin e vijës kufitare. Kështu është shprehur presidenti serb Boris Tadiç gjatë qëndrimit në Ohër të Maqedonisë, ku është duke u zhvilluar takimi i krerëve të Europës Qendrore. Kjo kërkesë iu parashtrua presidentit të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski. Presidenti serb ka theksuar se për Serbinë është “juridikisht e papranueshme” çdo gjë për të cilën Maqedonia merret vesh me Kosovën lidhur me shënimin e vijës së kufirit. Tadiç shfrytëzoi rastin duke deklaruar sërish se vendi i tij vazhdon rrugën europiane, por nuk heq dorë kurrsesi nga mbrojtja e sovranitetit të vendit. “Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë”, - u tha Tadiç gazetarëve, duke shtuar se dëshiron që të vazhdohen bisedimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara. Ndërkaq, gjatë punimeve të ditës së parë të Samitit, presidenti i Maqedonisë, Cërvenkovski, deklaroi se Kosova e pavarur mbetet një kërcënim për stabilitetin e Ballkanit”. Shkupi zyrtar nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, por i ka evituar deri tani deklaratat e drejtpërdrejta lidhur me këtë çështje delikate, duke treguar kujdes për të mos nxitur tensionet me Prishtinën. Shefi i shtetit maqedonas bëri të ditur se “ka ende rreziqe për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan, që nuk duhet të nënvlerësohen”, duke iu referuar krijimit të shtetit më të ri në rajon.
5 Maj 2008