E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti i vjetër, plagoset 33-vjeçari



SHKODËR – Më në fund ka vendosur për t’u hakmarrë, duke plagosur rëndë bashkëfshatarin e tij dhe më pas të zhduket. Burimet zyrtare të policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se në orët e vona të së premtes është plagosur rëndë shtetasi Marin M., banues në fshatin Bardhaj, të komunës Rrethina. Sipas njoftimit zyrtar ngjarja ndodhi dy ditë më parë, rreth orës 22.45 në fshatin Bardhaj. I lënduari është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, dhe pas ndihmës së parë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Prej disa kohësh kishte pasur debate mes tyre. Për çështje hetimi, policia nuk ka dhënë emrin e atentatorit, i cili është shpallur në kërkim. Ai akuzohet për veprat penale të “vrasjes së mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.

Gjenden kallashë dhe fishekë, dy në pranga

FIER - Policia e Fierit ndaloi të shtunën pasdite dy të rinj, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në banesat e tyre u gjetën dy automatikë dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh, që mbaheshin pa leje. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se "në prangat e policisë kanë rënë Ilirjan Petani, 30 vjeç, nga Fieri dhe Ilirjan Xhaferri, 32 vjeç, nga Patosi". Policia nuk bëri të ditura detaje lidhur me këtë rast, por saktësoi se në banesat e tyre u sekuestruan dy automatikë dhe 160 copë fishekë gjithsej. Ata akuzohen për “armëmbajtje pa leje”. Materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar organit të prokurorisë.

Dhuna, nëna denoncon djalin në komisariat

DURRËS – Nuk ka duruar dhunën që ushtronte djali i saj dhe më në fund ka vendosur që ta denoncojë në polici. Burimet zyrtare të komisariatit të Durrësit bëjnë të ditur se shtetasja H. K., ka deklaruar në polici se është “dhunuar fizikisht e psikologjikisht duke u rrahur, keqtrajtuar, kërcënuar e fyer nga djali i saj, shtetasi Pëllumb Kajmaku”. Menjëherë pas kallëzimit të bërë nga 49-vjeçarja në adresë të të birit, policia nisi punën për kapjen e 24-vjeçarit, të lindur në fshatin Ishëm dhe banues në Lagjen Nr. 18, në qytetin bregdetar. Drejtuesit e komisariatit plotësuan kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes për 49-vjeçaren, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi Pëllumb Kajmaku.

5 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›