Zëvendësi i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në Prishtinë
Zëvendësi i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Zhan Mari Gueheno, ka arritur në Prishtinë, në kuadër të një misioni faktmbledhës. Gjatë pasdites, zëvendësi i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Gueheno, zhvilloi takime me presidentin Fatmir Sejdiu, shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker dhe zëvendësin e tij, Larri Rosin. Në takimet me zyrtarët vendorë e ndërkombëtare Gueheno diskutoi edhe për praninë e ardhshme civile ndërkombëtare në Kosovë. Zyrtarë të UNMIK-ut kanë shprehur mendimin se vizita e Guehenos ka për qëllim vëzhgimin e situatës në terren, pas realitetit të ri të krijuar në Kosovë. "Ai mbërriti në Prishtinë dhe misioni i tij është një mision faktmbledhës, siç bën edhe me misionet e tjera paqeruajtëse në botë. Në takimet me krerët e institucioneve do të diskutohet edhe për praninë e ardhshme civile ndërkombëtare në Kosovë”, - u shpreh zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusëll Geki pak para se Gueheno të mbërrinte në Kosovë. Pas Prishtinës, Gueheno do të vizitojë Beogradin.
5 Maj 2008