Negociatat Shkup-Athinë për çështjen e emrit, të hapura
Procedura e çështjes së emrit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë ruhet e hapur nga ndërmjetësi i OKB-së, Methju Nimiç. Ai është takuar gjatë ditës së djeshme me negociatorin e Greqisë, Adhamantio Vasilaqi. Ky takim është zhvilluar dy ditë pas takimit të ndërmjetësit të OKB-së me negociatorin e Shkupit, Nikolla Dimitrov, nga i cili gjithashtu nuk rezultoi asnjë gjë që mund të çonte përpara këtë proces. Duke iu referuar informacioneve të publikuara në shtypin grek, Nimiç ka shprehur dëshirën për të vizituar Athinën dhe Shkupin, megjithatë nuk pritet të ketë zhvillime të rëndësishme para zgjedhjeve të Maqedonisë që do të zhvillohen më 1 qershor. Aspak shpresëdhënëse kanë qenë edhe deklaratat e presidentit të Maqedonisë Branko Cërvenkovski, i cili gjatë fjalës në Samitin e udhëheqësve të Shteteve të Europës Qendrore në Ohër, tha se vendi i tij ka treguar gatishmërinë për kompromis edhe përpara Samitit të Bukureshtit, kur pranoi propozimin e ndërmjetësit Nimiç, por fatkeqësisht, ky propozim është hedhur poshtë nga Greqia. Ndërsa kryeministri Nikolla Gruevski ka hedhur akuza ndaj Greqisë, e cila pengoi ecurinë e Shkupit drejt NATO-s. Sipas tij, ky qëndrim i Greqisë është në kundërshtim edhe me interesat e vetë aleancës euroatlantike dhe Bashkimit Europian.
5 Maj 2008