Plagos bashkëfshatarin, i zuri pritë furgonit me pasagjerë
TEPELENË – Ka vendosur të hakmerret ndaj bashkëfshatarit të tij, dhe i ka zënë pritë teksa vinte me furgonin e tij në aksin rrugor Lopës-Sevastër, ku ka qëlluar me armë, duke e lënë të plagosur. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës bëjnë të ditur se dje në mesditë ka mbetur i plagosur shtetasi Taulant Licaj. Sipas zëdhënësit të policisë, Gentian Mullai ai është qëlluar me armë nga një bashkëfshatar i tij, emri i të cilit nuk është bërë ende i ditur për shkaqe hetimi. Atentatori pasi ka qëlluar me armë mbi furgonin me targa VL 2118 B, në të cilin ndodhej 28-vjeçari Liçaj dhe bashkëshortja e tij, është zhdukur në drejtim të paditur. Zëdhënësi Mullai saktësoi se ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 të ditës së shtunë, në afërsi të fshatit Dashaj, një kilometër larg fshatit Sinanaj, të komunës së Lopësit. Ai pohon se përplasja ka ndodhur për motive të dobëta, pasi Liçaj dhe atentatori prej kohësh ishin përfshirë në konflikt. Ai ka pohuar se menjëherë është bërë identifikimi i autorit, i cili është banor i fshatit Sinanaj, bashkëfshatar me të plagosurin. Policia ka ngritur postblloqe në të gjitha akset kryesore të qarkut të Gjirokastrës. Mësohet se 28-vjeçari ndodhet në spitalin e qytetit të Tepelenës, dhe pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, është jashtë rrezikut për jetën.
5 Maj 2008