E Diel, 1 Nëntor 2026

“Agimin Dakën na e vranë në komisariat”

15/03/2005  Intervistë me kushëririn e vëllezërve Daka, i cili deklaron se kanë prova për vrasjen e 25-vjeçarit

SHKODËR - Dyshimet e para të familjarëve të Agim Dakës, rreth vetëvrasjes së tij, në zyrën e shefit të krimeve të Komisariatit nr.4 në Tiranë, sipas tyre tashmë janë vërtetuar. Vetëvrasje në kushtet e depresionit të thellë psikologjik, apo vrasje. Familjarët këmbëngulim me bindje tek e dyta. Këtë e bën të ditur për gazetën “Metropol” kushëriri i parë i Agimit, Kolë Dakaj.

Si mendoni se është e vërteta e vdekjes së Agimit?

Për ne, vdekja e tij nuk erdhi si pasojë e vetëvrasjes. Ne e patëm këtë dyshim që në fillim, por tani dyshimi ynë është faktuar. Agimin na e vranë në Komisariatin nr.4 në Tiranë. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme, për të cilën kemi prova të sakta. Para se të bëhej ceremonia e vdekjes, ne i kemi bërë foto dhe filmim trupit të të ndjerit, në prani edhe të përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, ku duken qartë shenjat e dhunës së ushtruar ndaj tij, që, me sa duket, ka filluar që me ndalimin e tij në Vorë. Materialet ia kemi dërguar edhe Avokatit të Popullit, për t’i pasur si provë materiale në gjyqin që do të hapim ndaj shefit të atëhershëm të krimeve në Komisariatin nr.4 në Tiranë, Artan Cukut. Me sa kemi mundur të zbulojmë ne paraprakisht, Agimin na e vranë për të mos u marrë vesh kurrë se ndaj tij është ushtruar dhunë. Por, me sa duket, vrasësi i ka bërë hesapet gabim.

Duke i qëndruar versionit tuaj, pse mund ta kenë rrahur Agimin?

Edhe për këtë problem jemi mirinformuar nga dëshmitarët okularë, që u ndodhën rastësisht në momentin e ndalimit të Agimit me 25.02.2005, rreth orës 16:00, në Vorë. Policia e ka ndaluar atë duke kujtuar se kishin zënë Bujarin e arratisur nga qelitë e paraburgimit. Kjo vërtetohet edhe me faktin se e kanë ndaluar duke e thirrur me emrin e të vëllait dhe kanë filluar që ta rrahin egërsisht edhe megjithëse Agimi me dokument identifikimi në dorë thërriste se nuk ishte Bujari, por i vëllai i tij. Pas kësaj rrahjeje e kanë dërguar në Komisariatin nr.4, ku gjeti dhe vdekjen brenda në zyrën e shefit të krimeve, Artan Cuku.

Nuk mendoni aspak se Agimi është vetëvrarë si pasojë e depresionit?

Në mënyrë kategorike jo. Nuk kishte asnjë mundësi që në atë gjendje që e kishte katandisur policia e Vorës, apo ndoshta më pas edhe e komisariatit të Tiranës, t’i rrëmbente pistoletën një polici profesionist. Përveç kësaj, ai ishte në prag të marrjes së vizës greke, për të filluar një jetë të re si vetë mosha e tij, larg halleve dhe vështirësive të fundit, që i përballoi në mënyrë burrërore. Vetëvrasja ishte një gjetje e policisë për të zhdukur gjurmët.

Pas ngjarjes

Ekspertët konfirmuan vetëvrasjen

Vetëm pak orë pas ngjarjes, ku humbi jetën Agim Daka, 25 vjeç, nga ana e uniformave blu të qytetit të Shkodrës u bë e mundur kapja e shumëtëkërkuarit Bujar Daka. I arratisuri i fillimshkurtit së bashku me dy të dënuar të tjerë u kap në momentet që në familjen e tij po bëhej ceremonia mortore e të vëllait, Agimit. Bujar Daka u kap pas gati 3 javësh arratie nga qelitë e paraburgimit të komisariatit të Shkodrës, ku vazhdonte të rrinte, megjithëse ishte i dënuar nga gjykata dhe duhej të ishte në ndonjë burg të sigurisë së lartë, duke vuajtur dënimin. Pas ngjarjes, ku mbeti i vdekur vëllai i të kërkuarit, uniformat blu filluan hetimin dhe sipas përgjigjeve të ekspertëve, Agim Daka nuk është vrarë nga shefi i krimeve të Komisariatit nr.4, apo nga ndonjë punonjës tjetër policie, psi në duart e tij janë gjetur gjurmë pluhuri plumbash, çka provon, sipas ekspertëve, se Daka është vetëqëlluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›