E Diel, 1 Nëntor 2026

Kakome, të premten, protestë para zyrave të BE në Athinë

15/03/2005  Flet kryeplaku i Nivicës, Vladimir Kumi, për planet e banorëve të fshatit dhe ndjekjen penale të çështjes

Më 1 maj ne kemi vendosur që të organizojmë një aktivitet, që do të quhet “Ringjallje”. Ideja e këtij aktivieti, i cili nuk do të ketë vetëm protestë, është nxitur nga përkujtimi i masakrës që ka bërë Pashkën e 207 viteve më parë, Ali Pashë Tepelena, i cili masakroi brenda një nate 600 burra nga fshatrat Nivicë dhe Shën Vasil. Ka një lloj paralelizmi me atë çfarë ka bërë pashai i Tepelenës në 1798 me atë çfarë po bën “pashai” aktual i Shqipërisë, Fatos Nano, me këtë fshat

SARANDË – Në fund të kësaj jave, niviciotë dhe banorë të tjerë të bregdetit, të cilët ndodhen në Greqi, do të protestojnë para selisë së Bashkimit Evropian në Athinë. Lajmi është bërë i ditur nga kryeplaku i fshatit Nivicë, Vladimir Kumi. Sipas tij, të gjithë emigrantët, që janë në shtetin fqinj dhe që mund të shkojnë deri në 900 persona, është planifikuar që të tubohen para zyrave të BE në kryeqytetin helen, për të protestuar ndaj vendimit të marrë nga qeveria shqiptare për të ndërtuar një fshat turistik në zonën e Kakomesë.

Ndërkohë që niviciotët dhe të gjithë emigrantët në Greqi kanë krijuar një fond, ku mund të derdhen të holla në lekë ose euro nga kushdo që mund të kontribuojë. Qëllimi i krijimit të këtij fondi, po sipas Kumit, është për të gjetur një zyrë avokatie, e cila do të merret me rishikimin e ligjshmërisë së procedurave të ndjekura gjatë tenderit për marrjen e zonës turistike të Kakomesë si “fushë ndërtimi” për kompleksin turistik.

Dje kryeplaku i Nivicës, Vladimir Kumi, nëpërmjet një interviste, të dhënë për gazetën “Metropol”, ka treguar për të gjitha planet e bëra nga komisioni i krijuar për të ndjekur këtë çështje, si dhe ka sjellë atmosferën, në të cilën po jeton tashmë fshati i tij pas ngjarjeve pak javë më parë.

Zoti Kumi, ju jeni lënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit Sarandë në arrest shtëpie. Keni patur mundësi që t’i ndiqni protestat e ditëve të fundit të bëra nga bashkëfshatarët tuaj?

Megjithëse jam në shtëpi dhe nuk lëviz, gjatë gjithë kohës kam informacion të plotë se çfarë po ndodh, pasi jam gjatë gjithë ditës i vizituar nga miqtë e mi, ndërkohë që vëmendja nuk më ka munguar as nga ana e mediave dhe vëzhguesve të BE-së. E di që banorët kanë organizuar të dielën një protestë ndaj vendimit të padrejtë që i shpronëson në një farë mënyre. Kanë qenë rreth 300 persona, ndërkohë që 100 protestues të tjerë kanë ardhur nga zona e bregdetit. Është bllokuar nga ana e protestuesve për 1 orë rruga automobilistike dhe nuk ka patur probleme me policinë.

Do të vazhdojnë protestat në ditët e ardhshme?

Protestat mund të vazhdojnë në çdo ditë, por gjithsesi ne kemi bërë një plan-detyrash tonat, të përbërë prej tri pikash. Protesta më e afërt e planifikuar nuk do të jetë në Nivicë, por në Athinë, ku djemtë e vajzat tona do të të protestojnë para zyrave të Bashkumit Evropian për padrejtësinë që po bëhet. Ndërkohë që komuna Lukovë në mbledhjen e fundit të këshillit të saj ka hartuar me shumicë votash një kërkesë për të larguar policinë dhe mjetet që po punojnë në zonën e planifikuar si fshat turistik. Ndërsa pika e tretë e parashikuar nga ana jonë ka të bëjë me ditën e pashkës ortodokse. Më 1 maj ne kemi vendosur që të organizojmë një aktivitet, që do të quhet “Ringjallje”. Ideja e këtij aktivieti, i cili nuk do të ketë vetëm protestë, është nxitur nga përkujtimi i masakrës që ka bërë Pashkën e 207 viteve më parë, Ali Pashë Tepelena, i cili masakroi brenda një nate 600 burra nga fshatrat Nivicë dhe Shën Vasil. Ka një lloj paralelizmi me atë çfarë ka bërë pashai i Tepelenës në 1798 me atë çfarë po bën “pashai” aktual i Shqipërisë, Fatos Nano, me këtë fshat.

Po plane të tjera keni si komunitet?

Po, kemi krijuar një fond, me të ardhurat e të cilit duam që të marrim një zyrë ligjore, e cila do të na mbrojë. Ne në çdo moment mund të hapim një proces, pasi ajo vetëm një padi është, por gjithsesi ky hap mund të jetë, pasi avokatët të shikojnë procedurat e tenderit të qeverisë që ne na duken shumë të dyshimta.

Po ju, personalisht, jeni marrë më në pyetje nga prokuroria?

Jo, s’jam marrë në pyetje, megjithë akuzat nuk qëndrojnë, pasi në protestat nuk i bëjmë në sheshe publike, por në zona që janë pyll, ose pronë private. Ndërsa unë personalisht kam apeluar vendimin për masën e sigurisë që më është dhënë në gjykatan e apelit të Gjirokastrës, por nuk kam besim më te drejtësia shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›