E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka më licensa për lojëra fati

15/03/2005  Ministria Financave nuk do të japë më licensa dhe nuk do të rinovojë lejet e lojërave të fatit

Lejet për lojërat e fatit nuk do të jepen më pa kursim si deri më sot. Ekzistenca e një kazinoje për të cilën janë paguar miliona dollarë, duket se ka bërë Ministrinë e Financave të “reflektojë”. Këshilltari i ministrit të Financave, Adriatik Islamaj, nuk ka ngurruar të bëjë publik faktin se, lojërat e fatit në kryeqytet nuk do të vazhdojnë më lirshëm aktivitetin e tyre dhe për shumicën e atyre që janë në treg, nuk do të ketë rinovime licensash. “Të hiqet ai perceptimi i gabuar, sikur kompania që do të ketë fatin të marrë licensë do të sjellë 10 apo 20 makineri dhe do të mbledhë kacidhet e shqiptarëve”, ka deklaruar këshilltari i ministrit të Financave gjatë debatit publik mbi kazinonë në kryeqytet. Islamaj është justifikuar përpara banorëve gjatë debatit mbi kazinotë, të organizuar nga Lëvizja “Mjaft”, me reduktimin e ndjeshëm të numrit të licensave për lojërat e fatit, që do të përbëjë më shumë garanci jo vetëm për qytetarët, por dhe për autoritetet që do t’i monitorojnë këto aktivitete. Duket se ato që do t’i shpëtojnë “reformës” në sektorin e lojërave të fatit, do të jenë vetëm ato aktivitete që e kanë marrë licensën dhe afati u skadon në 2009-ën. “Disa nga lojërat e fatit e kanë kohëzgjatjen e licensave deri në vitin 2009, çka do të thotë se ato do të lejohen ta vazhdojnë aktivitetin deri në përfundim të afatit”, ka bërë të ditur Islamaj. Këshilltari i Malajt e ka justifikuar vendimin për reduktimin e licensave me faktin se, operatorët që do të veprojnë në sektorin e lojërave të fatit nuk do të kenë thjesht detyrën e hapjes së një biznesi dhe mbledhjes së parave. Ato duhet të jenë aktive në thithjen e turistëve të huaj. “Këto subjekte do të kenë një kontratë me kohëgjatësi sa ç’është licensa, pra vetëm 15 vjet dhe do të lidhin ndërkohë kontrata me agjencitë turistike më të njohura dhe prestigjioze në Evropë e në botë, që të sjellë turistë nga të katër anët”, deklaroi Islamaj. Deri më sot, ligji shqiptar parashikonte që subjektet e licensuara për lojërat e fatit, në fund të aktivitetit, kishin të drejtë të kërkonin rinovimin e lejes. Për herë të dytë leja jepet për gjysmën e kohës që parashikon ligji, pra për 5 vjet dhe, njëkohësisht, organizatorët paguajnë dhe gjysmën e vlerës prej 10 milionë lekësh. Legjislacioni shqiptar parashikon që licensa për aktivitetin e lojërave të fatit të jepet për 10 vjet dhe organizatori paguan 10 milionë lekë vetëm për një nga lojërat që vë në dispozicion të klientëve. Deri më sot, licensë për lojëra fati kanë marrë dhe subjekte juridike, të cilat kanë përdorur llotaritë si burim fitimi për bamirësitë e tyre. Licensën kër këto subjekte deri më sot e ka dhënë Pushteti Vendor, pas miratimit të lejes dhe nga Ministria e Financave. Kështu është vepruar me Kryqin e Kuq, i cili ka patur një lojë llotarie dhe fitimet i përdorte për qëllimet e bamirësisë dhe ndihmave.

Si merret licensa për lojërat e fatit

Në bazë të ligjit “Për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet”, me lojëra fati do të kuptohen ato lojëra, ku pjesëmarrësit paguajnë një shumë të caktuar dhe ku faktori fat ka ndikim të drejtpërdrejtë si në fitimin, ashtu edhe në humbjen e pjesëmarrësve në to.

Lojërat e fatit mund t’i organizojnë vetëm sh.a.-të.

Lejet për organizimin e lojërave të fatit, garave në hipodrome dhe kazinove, u jepen vetëm shoqërive tregtare të organizuara në formën e shoqërive aksionere. Ato mund të jenë me kapital vendës, të huaj apo të përbashkët, por selia e shoqërive duhet të jetë në Republikën e Shqipërisë. Objekti i veprimtarisë së shoqërisë, në varësi të lejes së kërkuar, duhet të jetë vetëm veprimtaria e lojërave të fatit, kazinosë apo garave në hipodrome. Këto shoqëri duhet të kenë personel të përgatitur me specializimin përkatës dhe me përvojën e nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë në lojërat e fatit, kazinotë e hipodromet. Shoqëritë që organizojnë lojëra fati, duhet të garantojnë pagimin e shumave kundrejt fituesve. Për këtë organizatori duhet të ngurtësojë në një llogari të veçantë një shumë të caktuar parash, masa e së cilës përcaktohet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Kjo shumë mund të zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit të Financave. Shoqëritë organizatore të lojërave të fatit duhet të kenë një marrëveshje paraprake për të bashkëpunuar me njërën nga bankat, me seli në territorin e vendit.

Cilat janë lojërat e fatit

Lojëra aritmetike

Llotari

Lojëra sportive fati

Lojëra elektronike

Lojërat e fatit, 900 milionë lekë humbje në 2004

Lojërat e fatit shërbejnë për të fituar miliona, por kur vjen puna për të paguar tatimet, historia është krejt e kundërta. Çdo vit, Buxhetit të Shtetit i humbasin rreth 1 miliard lekë nga mosrealizimi i planit me lojërat e fatit. Rezultatet e tatimorëve kanë patur shifra optimiste në të gjithë treguesit, ndërkohë që duket se në zërin e të ardhurave nga kazinotë dhe lojërat e fatit, dëmi financiar është i konsiderueshëm. Buxheti i Shtetit ka humbur plot 900 milionë lekë në 2004-ën vetëm nga lojërat e fatit, të cilat kanë realizuar planin në masën 12.7 për qind, duke përbërë nivelin më të dobët të realizimit në raport me të gjithë treguesit. Ministri Malaj ka kërcënuar vazhdimisht gjatë takimit me tatimorët për shkarkime nga detyra, nisur nga puna e dobët dhe në mbledhjen e kësaj takse. Kështu, gjatë vitit që kaloi, tatimorët kishin shanse të rrisnin të ardhurat nga kjo taksë, pasi zhvillimi i Kampionatit Evropian rriti dhe nivelin e basteve dhe llotarive. Por, edhe këtë vit, lojërat e fatit shënuan një realizim mjaft të ulët, duke u bërë së bashku me sigurimet shoqërore taksat më problematike në sistemin fiskal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›