E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoferët e furgonëve në protestë

15/03/2005  Kundër ministrisë së Transporteve

SHKODËR - Shoferët e furgonëve taksi të qytetit të Shkodrës kanë protestuar dje kundër vendimeve të Ministrisë së Transportit dhe urdhëresës së policisë, që bien ndesh me licensën e transportit. Kanë qenë 70 taksistë, që janë irrituar, duke lënë punën dje në shenjë proteste kundër urdhëresës së re të dalë nga Drejtoria e Qarkullimit Rrugor, sipas të cilëve shoferët e taksive furgonë 8+1 kanë të drejtë vetëm të dërgojnë pasagjerë në drejtim të Tiranës dhe të rretheve të tjera sipas licensës, por nuk kanë të drejtë të kthehen me pasagjerë, pra duhet të kthehen bosh. Taksistët kërkojnë që Bashkia Shkodër, të ndërhyjë pranë kësaj drejtorie për zgjidhjen e këtij problemi, si dhe të marrë masa të eliminojë konkurrencën e pandershme të furgonëve, që punojnë si taksi pa licensë. Përveç këtyre kërkesave, ku drejtuesit e furgonëve 8+1 kërkojnë mbështetjen e Bashkisë Shkodër për të shpënë zërin e tyre në Tiranë, ata i ka në kërkuar kësaj Bashkie që të rishohë vendimin e kryetarit të mëparshëm, sipas të cilit taksitë u zhvendosën nga qendra e qytetit në skajin më të largët të qytetit, duke e vështirësuar punën e tyre për mbledhjen e pasagjerëve dhe duke i krijuar hapësira më të mëdha taksive të palicensuara, që lëvizin afër qendrës së qytetit.

Taksistët theksojnë se, në qoftë se nuk do të realizohen kërkesat e tyre, atëherë protesta do të përshkallëzohet deri në bllokimin e rrugëve nacionale.

Ka disa kohë që taksistët e linjave mes qyteteve në Shkodër “kanë gjetur belanë” për një shesh qëndrimi të tyre. Megjithëse pjesa më e madhe e tyre i paguajnë të gjitha taksat e detyrimet vjetore, ata nga ana e shtetit marrin vetëm indiferentizëm, që shkakton probleme dhe te qytetarët shkodranë, që duan të lëvizin jashtë qytetit të tyre, kryesisht në drejtim të Tiranës. Prej gati dy vitesh furgonët janë zhvendosur në të dalë të Shkodrës, duke i larguar shumë nga zonat e mëdha të banuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›