E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano bën ”kosh” me administratën

15/03/2005  Kryeministri Fatos Nano, me rastin e Ditës së Verës ka shpalosur dje një marshim politik në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, thelbin e strategjisë së tij politike për këto zgjedhje. Bëhet fjalë për daljen e tij publike dhe simbolike me ata që do të jenë, me sa duket, kandidatët e Partisë Socialiste për kryeqytetin në zgjedhjet parlamentare të kësaj vere. Bëhet fjalë për drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Shpëtim Idrizi, për drejtorin e Përgjithshëm të KESH, Andis Harasani, për drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Adrian Petrollari, për prefekten e Tiranës, Mimi Kodheli, për zv.ministrin e Integrimit dhe ish- drejtorin e Doganave, Arben Ahmetaj, për ministrin e Rendit Publik dhe ish-anëtarin e KQZ-së, Igli Toska etj. E gjitha një aradhë nëpunësisht të rinj apo afatmesëm të administratës socialiste.

Shkurt, një prej akseve kryesore të ndërtimit të ekipit të zotit Nano do të jetë, me sa duket, pikërisht kjo: kalimi në nivel të politikës së mirëfilltë të disa administratorëve, deri-diku të spikatuar, pavarësisht se për mirë apo për keq të administratës socialiste të viteve të fundit.

Jemi në hapat e parë të shpalosjes së strategjisë së re të zotit Nano për të ndërtuar ekipin dhe platformën e tij konkurruese të zgjedhjeve të kësaj vere dhe kjo duhet parë kur të “zbulohet” e gjitha para publik. Por, sidoqoftë, mund të analizojnë disa prej elementëve të kësaj strategjie, një prej të cilëve ishte pikërisht spektakli që u shfaq pikërisht dje në sheshin “Nënë Tereza”.

Eshtë e qartë se Nano do të presë të rinovojë ekipet politike të partisë në pushtet për zgjedhjet e kësaj vere. Me sa duket, me një radikalitet të kënaqshëm. Ai do të sjellë ekipet politike profesionistë, menaxherë dhe biznesmenë që ia kanë dalë mbanë të ecin nën administratën socialiste. Në një farë mënyre, ai do të “politizojë” nivelet e larta të administratës së ti,j apo e anasjellta të “ekspertizojë” nivelet politike të ekipeve të së majtës.

Duket qartë se incitiava e Nanos, vjen në një moment që në përgjithësi në mjedisin publik shqiptar ka një alergji të madhe kundrejt figurave të konsumuara nga ato që Nano vetë i ka quajtur “të lodhur”, apo të tjerë brenda shumicës i kanë quajtur “xhaketa të vjetra”. Nga ana tjetër, lëvizjet e fundit të opozitës së Berishës për të marrë në ekipet më të lartë të Partisë Demokratikë elementë të spikatur, vlera intelektive që ka prodhur shoqëria shqiptare në mjedise të ndryshme, ekspertizë, media, shoqëri civile, biznes etj., kanë ushtruar presion të madh edhe në krahun tjetër, atë të shumicës, për të bërë një përpjekje për të përmirësuar ekipet e saj.

Brenda këtyre dy logjikave duhet parë edhe sipërmarrja e Nanos për të afruar në nivelet politike të tillë individë. Si e tillë ajo mund të gjykohet edhe si një lëvizje e detyruar.

Por, në politikë nuk kanë rëndësi motivet, nuk kanë rëndësi format apo taktikat. E rëndësishme është akti politik: Nano po i futet rrugë së rinovimit të ekipit politik që do të përfaqësojë Partinë Socialiste këto zgjedhje.

Afrimi i njerëzve të administratës, qofshin këta të besuar të Kryeministrit apo ambiciozë. Kriza e qeverisjes socialiste ka qenë e natyrës politike dhe jo administrative. Një drejtor me mirë apo më i keq i KESH nuk ndryshon gjë në problemin e tregut të energjisë në Shqipëri. Një drejtor me inteligjent i Doganave nuk ndryshon gjë në problemin e sistemit fiskal në Shqipëri. E kështu me radhë. “Finten” e njerëzve administrativë, apo më saktë e kalimit në nivel politik të adminstratës e kanë bërë shumë të tjerë përpara, por pa sukses në Shqipëri apo gjetiu. Kështu, Berisha, në vitin 1996, mori gjithë pjesën më të ndritur të administratës dhe i bëri deputetë dhe ministra, por pas disa muajsh ia mbathën nga kishin ardhur dhe i rikthyen në anonimatin e përjetshëm të eskpertokracisë. Ilir Meta, në vitin 2001, u përpoq të fuste në ekipet e tij personale brenda PS disa drejtorë dhe teknicienë po ata nuk dhanë dot kredo politike ambicies së tij politike. Po ashtu, socialistë grekë u përpoqën në minutën e fundit mes të “shndritshmit” Jorgos Papandreu dhe teknicienëve të bënin projektin dhe ekipin e fitores më 2003, por nuk mundën. Dhe ka shembuj të tjerë si kjo. Kriza e vërtetë, për të cilën duhet të japë llogari Nano, këto zgjedhje është politike dhe jo administrative. Disa ekspertë më të mirë apo më të këqinj nuk e zgjidhin këtë gjë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›