E Diel, 1 Nëntor 2026

Agjencia Antikorrupsion: Disa zyrtarë të dyshuar

Disa politikanë dhe zyrtarë institucionesh të Kosovës dyshohet se kanë fshehur pasurinë e tyre dhe se nuk kanë paraqitur të dhëna të sakta në formularin e Agjencisë Anti-Korrupsion. Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni, duke shtuar se disa zyrtarë nuk i kanë plotësuar si duhet formularët dhe nuk kanë paraqitur të dhënat për të ardhurat e tjera familiare, për të cilat do të hetohen nga kjo agjenci.

“Janë edhe disa mangësi në plotësimin e formularëve. Të gjitha ato ligjvënësi i ka paraparë metodat, ne do t’i aplikojmë ato, fillimisht duke kërkuar nga zyrtarët që t’i plotësojnë ato në afate ligjore, dhe nëse këtë nuk e arrijmë dhe nëse ata nuk përgjigjen në mënyrë adekuate do të marrim epilogun tek gjykatat kompetente. Ligjvënësi ka paraparë edhe sanksione në rastet kur formularët nuk plotësohen në mënyrën e duhur”, tha Hasan Preteni, Drejtor i Agjencisë Anti-korrupsion.

Në ndryshim nga Preteni, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka lavdëruar zyrtarët e institucioneve duke i quajtur ata kampionë të deklarimit të pasurisë në rajon. “Republika e Kosovës, zyrtarët e Kosovës janë rekord në rajon për deklarimin e pasurisë së tyre, që është në përqindje më i miri prej të gjitha vendeve të rajonit”, u shpreh Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.

Një ditë më herët Agjensia Antikorrupsion ka publikuar të dhënat e pasurisë të 1500 zyrtarëve kosovarë. Presidenti Fatmir Sejdiu ka deklaruar një pasuri prej 98 mijë eurosh, Kryeministri Thaçi 1,4 milionë euro, Kryetari I Parlamentit Jakup Krasniqi 1.6 milionë euro, Ministri i Financave, Ahmet Shala 650 mijë euro, ndërsa lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli nuk ka dëshiruar t’i bëhet publike pasuria, të cilën e ka deklaruar në Agjensinë Antikorrupsion.

Bul Salihu < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›