Agjencia “Ogilvy” feston 60-vjetorin
Pak ditë më parë, konkretisht 23 shtatori shënoi 60-vjetorin e Ogilvy & Mather Worldwide, e krijuar në New York nga David Ogilvy. Sot ajo përfaqëson një nga agjencitë e marketingut më të mëdha në botë me prezencë globale me mbi 500 zyra në 130 shtete; më shumë se 15.000 punonjës që përdorin më shumë se 65 gjuhë; me një listë të gjatë prej mbi 2500 klientësh. Me rastin e këtij përvjetori, Ogilvy Albania, e cila është pjesë e rrjetit Ogilvy & Mather International Network që prej vitit 2005, paraqiti një prezantim të agjencisë, në një koktej me investitorë të huaj, organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA). “Jemi krenarë që jemi pjesë e këtij rrjeti global”, pohoi Edlira Mali, administratore e Ogilvy Albania, gjatë prezantimit. Ogilvy & Mather Worldwide është e vetmja agjenci marketingu që është e pranishme në çdo vend të Ballkanit, me zyra në Tiranë, Kosovë, Zagreb, Beograd, Shkup, Bosnjë-Hercegovinë dhe zyra qendrore rajonale në Lubjanë.