Qeveria, 13 vendime me lekë pa firmën e Bodes
fabiola Çela
Zbulohen shkeljet e pushtetarëve me paratë e buxhetit të shtetit. Plot 13 herë Këshilli i Ministrave ka marrë para nga fondi rezervë i buxhetit, pa marrë më parë miratimin e ministrit të Financave. Gati 477.7 milionë lekë janë tërhequr nga ky fond në kundërshtim me ligjin. Një shkelje e tillë është evidentuar nga ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit, por shkeljet e ministrave me paratë e taksapaguesve shqiptarë nuk përfundojnë me kaq. KLSH-ja ka evidentuar se në shtatë raste fondi rezervë është përdorur si shtesë buxheti për ministritë, kryeministrinë apo institucione të tjera të administratës shtetërore. Shuma e marrë arrin vlerën e 285 milionë lekëve. Por sipas studimit të kryer nga ekspertët e kontrollit ka rezultuar se tërheqja e këtyre parave nga buxheti nuk përbënte emergjencë, çka do të thotë se marrja e këtyre parave është kryer në kundërshtim me ligjin. Ndërkohë gjatë vitit 2007 Ministria e Shëndetësisë ka marrë 55.3 milionë lekë nga fondi i rezervës, me pretekstin se këto para duheshin për kurimin e pacientëve jashtë shtetit. Por deri më tani nuk është gjendur asnjë faturë kurimi e pacientëve. Me paratë e buxhetit të shtetit kanë abuzuar edhe krerët e komunës së Tërthotës, të cilët me argumentin se do të zhvendosnin varrezat e fshatit Morinë, kanë marrë 11.2 milionë lekë. Por një gjë e tillë nuk është kryer ende.
Të ardhurat
Për vitin që kaloi niveli i të ardhurave të buxhetit të shtetit është më i ulët se planifikimi i bërë më parë. Sipas KLSH-së, të ardhurat e përgjithshme të buxhetit të shtetit janë realizuar në masën 95.8 për qind dhe zënë rreth 25.7 për qind të PBB-së. E thënë në gjuhën e shifrave, të ardhurat janë realizuar rreth 251.5 miliardë lekë, ndërkohë që sipas planifikimit të bërë, niveli i të ardhurave duhet të ishte 262.5 miliardë lekë. Pra, ka një mosrealizim të ardhurash prej gati 11 miliardë lekësh. Ndërsa për sa i përket shpenzimeve të buxhetit, janë 29.18 për qind të PBB-së. Më konkretisht, niveli faktik i shpenzimeve buxhetore rezultoi në masën 93.66 për qind të kuotave të planifikuara. Gjatë vitit 2007 deficiti i përgjithshëm i buxhetit të shtetit është 34.1 miliardë lekë dhe ai përbëhet nga të ardhurat tatimore dhe doganore. Gjatë vitit 2007 në të ardhurat nga tatimet dhe doganat zënë 18.06 për qind të PBB-së. Tejkalim ka pasur nga të ardhurat e tatimit mbi të ardhurat personale dhe tatimi mbi vlerën e shtuar, ndërsa është vënë re një mosrealizim i të ardhurave nga taksat doganore, arkëtimi i së cilës është në masën e 89.53 për qind, dhe tatimi mbi fitimin në nivelin e 94.94 për qind. Në nivele goxha të ulëta kanë qenë edhe të ardhurat nga pushteti vendor. “Të ardhurat nga pushteti vendor për 2007, të cilat zënë rreth 0.96 për qind të PBB-së së realizuar, rezultojnë në një nivel më të ulët realizimi se një vit më parë, përkatësisht në masën e 15.7 për qind ose 1.7 miliardë lekë më pak”, thuhet në raport.
Shpenzimet
Pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të lartë të qeverisë e niveli i shpenzimeve kapitale gjatë vitit 2007, ka qenë në nivele të kënaqshme, raporti i KLSH-së tregon të kundërtën. Mosrealizime ka pasur si me fondet e brendshme të buxhetit të shtetit, ashtu edhe me investimet me financime të huaja. Konkretisht, shpenzimet kapitale në 2007-ën janë realizuar në masën e 83.19 për qind, 11.5 miliardë lekë të destinuara për investime nuk kanë arritur të shpenzohen. Nga këto, investimet e brendshme janë realizuar në masën e 93.42 për qind, pra nuk janë shpenzuar 3.3 miliardë lekë. Ndërsa investimet me financime të huaja janë realizuar në masën e 52 për qind dhe fondi i pashpenzuar është 8.1 miliardë lekë.
Dëmet
Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë gjetur parregullsi të shumta në fushën e shpenzimeve. Si pasojë e këtyre shkeljeve dëmi financiar arrin vlerën e 453.9 milionë lekëve. Nga këto, 398 milionë lekë dëme janë shkaktuar nga ministritë dhe institucionet qendrore, ndërsa 37.2 milionë lekë dëme janë shkaktuar nga projektet me financim të huaj. Gati 18.5 milionë lekë është dëmi i shkaktuar nga njësitë e pushtetit vendor.
Dëmet e shkaktuara nga Institucionet
101.793.000 lekë dëme nga dega e Tatimtaksave Tiranë
63.564.000 lekë dëme nga dega e Tatimtaksave Elbasan
4.004.000 lekë dëme nga dega e Tatimtaksave Pogradec
67.188.000 lekë dëme nga dega e Doganave Sarandë
3.344.000 lekë dëme nga dega e Doganave Fier
875000 lekë dëme nga dega e Doganës së Qafë-Thanës
988.000 lekë dëme nga dega e Doganës së Bllatës
2.247.000 lekë dëmi nga Bashkia e Lushnjës
423.000 lekë dëme nga Bashkia e Durrësit
1.135.000 lekë dëme nga Bashkia e Tepelenës
1.277.000 lekë dëme nga Bashkia e Krujës
1.523.000 lekë dëme nga Bashkia e Pogradecit
12.000 lekë dëme nga Bashkia e Pukës
2.808.000 lekë dëme nga Bashkia e Gjirokastrës
2.017.000 lekë dëme nga Bashkia e Divjakës
599.000 lekë dëme nga Komuna e Lukovës
1.380.000 lekë dëme nga Komuna e Ksamilit
87.000 lekë dëme nga Komuna Proptisht Pogradec
3.039.000 lekë dëme nga Komuna Dajt
1.101.000 lekë dëme nga Këshilli i Qarkut Korçë
195.773.000 lekë dëme nga DPTTV në Bashkinë e Tiranës
38.382.000 lekë dëme nga DTTV në Bashkinë e Durrësit
8.066.000 lekë dëme nga DTVV në Bashkinë e Fierit
23.324.000 lekë dëme nga DTTV në Bashkinë e Vorës
1.853.000 lekë dëmi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
357.480.000 lekë dëmi nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve
1.557.000 lekë dëmi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve
1.244.000 lekë dëmi nga Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat e saj vartëse
2.885.000 lekë dëmi nga Ministria e Brendshme dhe strukturat e saj vartëse
6.273.000 lekë dëmi nga Zyra e Publikimeve Zyrtare
538.000 lekë dëmi nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të shtetit
210.000 lekë dëmi i shkaktuar nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale
5.748.000 lekë dëmi i shkaktuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
2.833.000 lekë dëmi nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare
3.768.000 lekë dëmi i shkaktuar nga projekti i ndërtimit të rrugës Gjirokastër-Tepelenë.
6.350.000 lekë dëmi i shkaktuar nga projekti për ndërtimin e rrugës Lushnjë-Fier
2.197.000 lekë dëmi nga projekti i furnizimit me ujë të zonës rurale Kavaja II
6.315.000 lekë dëmi nga projekti i furnizimit më ujë të zonës rurale Fushë-Krujë Peshkopi.
11.662.000 lekë dëmi nga projekti i menaxhimit të burimeve ujore
3.376.000 lekë dëmi nga projekti i mirëmbajtjes së rrugëve
3.197.000 lekë dëmi nga projekti ujitja e fushës së Korçës
1.242.000 lekë dëme nga Bashkia e Lushnjës
862.000 lekë dëme nga Bashkia e Shkodrës
631.000 lekë dëme nga Bashkia e Durrësit
680.000 lekë dëme nga Bashkia e Burrelit
863.000 lekë nga Bashkia e Shijakut
1.333.000 lekë dëme nga Bashkia e Pukës