E Diel, 1 Nëntor 2026

Agjencia Telegrafike Shqiptare nis transmetimin audio

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka nisur ditën e djeshme transmetimin audio, me dy edicione në ditë në faqen e saj të internetit. Kjo agjenci kombëtare lajmesh do të transmetojë informacionet më të fundit nga vendi dhe bota, për të gjithë abonentët e saj, por edhe për lexuesit e web-site të rinovuar të ATSH-së, www.ata.gov.al. “Audio që nisi dje transmetimin është në vazhdën e realizimit të një sërë projektesh që ka marrë përsipër ATSH”, - u shpreh Antoneta Malja, drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë. Ajo përmendi me këtë rast, disa nga sfidat e realizuara së fundmi nga stafi që ajo drejton si, gazetën virtuale “Milestone”, që ofrohet falas çdo javë në faqen e internetit të ATSH-së, rubrikën “Specialja”, një shërbim i posaçëm javor që përmban shkrime dhe lajme në interes të vendit, apo dhe projektin “web deb”, një financim i Komunitetit Evropian që ka si objektiv të tejçojë opinionet e çdo qytetari tek përfaqësuesit e qeverisë përmes procesit të Demokracisë Elektronike. Krahas lajmit të shkruar, znj. Malja nënvizoi kujdesin që i është treguar fotografisë që prodhohet në institucionin që ajo drejton. “Foto-lajmi, fotot më të përzgjedhura të javës, shoqëruar me tekst sqarues, dhe që përcaktohen nga një staf profesionistësh, por edhe fotoja arkiv, që evokuan ngjarje të rëndësishme për vendin nga viti 1945, janë disa nga risitë në drejtim të fotografisë si një nga elementët më të rëndësishëm të Agjencisë”, - vlerësoi ajo. Agjencia Telegrafike Shqiptare e krijuar mbi 70 vjet më parë, konsiderohet si burimi më i madh i informacionit në vend, dhe si burim i vetëm zyrtar i Shqipërisë në botë. Ajo prodhon mbi 200 lajme në ditë nga bota e vendi, dhe mbulon të gjitha temat në të gjitha formatet.

LSI, kundër shtyrjes së memorandumit anti-skaf

Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur ditën e djeshme nëpërmjet një konference për shtyp se është kundër shtyrjes së afatit të memorandumit anti-skaf. Deputeti i kësaj partie, Nikollaq Neranxi, tha se shtyrja e këtij afati do të pengojë turizmin në vend. “LSI i bën thirrje qeverisë të heqë dorë nga ideja për zgjatjen e afatit kohor të moratoriumit anti-skaf, sepse është një ligj që cenon të drejtat e njeriut, cenon mundësinë e lirë investuese dhe zhvilluese, pengon turizmin individual dhe atë kolektiv në vend dhe e kthen Shqipërinë në një territor me kufizime qarkulluese, të cilat nuk ndeshen në asnjë vend tjetër të rajonit. Përmes këtij memorandumi të kaluar në Parlament me fuqinë e kartonave të shumicës, qeveria synon ta mbajë të izoluar vendin dhe të krijojë pabarazinë e qytetarëve të vendit të vet me qytetarët e botës. Ky është element diskriminues. LSI reagon fuqishëm duke kërkuar mbylljen sa më shpejt në kohë, të afatit veprues të moratoriumit dhe denoncon përpjekjen e ministrit të Brendshëm, për të testuar, përmes kësaj deklarate, reagimin qytetar”, - tha Neranxi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›