Oketa: Në Gërdec, jo më rrezikshmëri
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, garantoi dje banorët e Gërdecit se mund të rindërtojnë banesat e dëmtuara më 15 mars. Oketa vuri në dukje se vetëm zona e kraterit paraqet rrezikshmëri për sa u përket specialistëve të ushtrisë. Por sipas tij, në fshat nuk ka asnjë pengesë për ndërtim. Këtë deklaratë ministri Oketa e bëri gjatë vizitës që zhvilloi dje në fshatin Marqinet, ku qeveria i dorëzoi Bashkisë së Vorës ish-repartin e tankeve, i cili do të kthehet në shkollë publike dhe ambiente sportive. “Zona e kraterit, e cila ka një sipërfaqe prej 800 ha, mbetet me rrezikshmëri të lartë, pasi mund të ketë ende municione të paplasura, edhe pse në sasi mjaft të vogël. Në këtë zonë ende po punohet që të mos ketë më shpërthime”, - tha z. Oketa. Ministri vuri në dukje se zonat larg kraterit nuk paraqesin rrezikshmëri dhe janë të favorshme për të rindërtuar. "Banorët mund të ndërtojnë shtëpitë e tyre jashtë zonës së kraterit, pasi ajo është tërësisht e pastër dhe nuk ka më asnjë municion të paplasur", - theksoi z. Oketa. Ministri i Mbrojtjes vizitoi dje zonën e Marqinetit, ku edhe dorëzoi vendimin e qeverisë shqiptare për ndërtimin e një shkolle në ambientet e ish-repartit ushtarak të Marqinetit. Oketa bëri publik vendimin e Këshillit të Ministrave, sipas të cilit, godinat dhe i gjithë mjedisi ku dikur dislokohej ish-brigada e tankeve i kalohet në pronësi Autoritetit Lokal të Vorës. Në këtë takim, ministri i Mbrojtjes shoqërohej nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneral brigade, Maksim Malaj, komandanti i Forcës së Bashkuar, gjeneral brigade Agim Lalaj, kryetari Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor. Vendimi që ka marrë Këshilli i Ministrave, theksoi më tej ai, tregon qartë mbështetjen e qeverisë shqiptare për Bashkinë e Vorës, sidomos pas ngjarjes së Gërdecit, për ta rikthyer këtë zonë në normalitet të plotë.