Berisha: Edhe Borshi me tipare evropiane
Përurimi i fillimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugës për në Kalanë e Borshit ishte ndalesa e radhës së Kryeministrit Berisha gjatë vizitës që u krye dje në fshatrat e bregut. Ndërtimi i këtij objekti parashikon përmirësimin e rrugës që kalon në një zonë panoramike me pamje nga deti, me mur në gjatësi të rrugës me veshje me gurë, si dhe një parking automjetesh, me vlerë rreth 13.7 milionë lekësh. Gjatë kësaj ceremonie, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria është e vendosur të financojë me përparësi të gjitha projektet që duhen për ta shndërruar Borshin në një zonë më mikpritëse për turistët, si dhe për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e mëdha turistike që ai ofron. Krahas rrugës në shëtitoren e Borshit do të ndërtohet edhe rruga Fterë-Borsh, në mënyrë që fteriotët të kenë dalje sa më të shpejtë në det. Rruga duhet të planifikohet në buxhetin e shtetit e të fillojë sa më shpejt. “Qeveria është e vendosur t’i financojë me përparësi të madhe këto projekte, si dhe çdo projekt tjetër që do të keni, për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e mëdha turistike që ka Borshi e për ta bërë këtë vend më mikpritës për turistët”, - u shpreh Kryeministri, ndërsa shtoi se bregut duhet t’i japim tiparet evropiane. Në fund të kësaj ceremonie, kryeplaku i Borshit, falënderoi Kryeministrin Berisha për financimet dhe investimet që qeveria po kryen në këtë zonë.