E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agjencia e Mbrojtjes së Tokës aplikoi gjoba

Fier

Dëmtuan tokën bujqësore, 35 veta në ndjekje penale
Institucioni i Këshillit të Qarkut të Fierit ka dërguar për ndjekje penale në prokurorinë e rrethit gjyqësor 35 persona, të cilët kanë rezultuar se kanë dëmtuar tokën bujqësore. Edhe pse më parë është bërë paralajmërimi dhe gjobitja e të 35 personave, sërish ata kanë vijuar ta thellojnë dëmin në tokën bujqësore.
Lajmin e bën të ditur kryetari i Këshillit të Qarkut Fier, Luan Muçaj, i cili publikisht ka dënuar rastet e konstatuara të dëmtimit të tokës bujqësore. Ai ka pranuar se, përveç rasteve që janë konstatuar gjatë kësaj periudhe, ekzistojnë me dhjetëra raste të tjera të dëmtimit të tokës që gjatë aksioneve në vazhdim do të ndëshkohen. Këshilli i Qarkut është informuar për rastet e dëmtimit të tokës bujqësore nga Agjencia e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës. Specialistë të kësaj agjencie kanë kryer kontrolle të vazhdueshme në të gjithë territorin e Qarkut të Fierit, me qëllim identifikimin e rasteve të dëmtimit. Kështu, gjatë aksioneve të fundit të vitit 2009, raportet e të cilave kanë përfunduar ditët e para të këtij viti, agjencia ka referuar se në 35 raste toka bujqësore është dëmtuar.
“Bëhet fjalë për tokë bujqësore të kategorisë së parë. Në të gjitha rastet dëmtimi është kryer për ndërtime pa leje si shtëpi banimi apo njësi tregtimit. Gjithashtu ka raste të dëmtimit të tokës për shfrytëzim inertesh”. Kështu shkruhet në raportin që Agjencia e Menaxhimit të Tokës ka përcjellë në Këshillin e Qarkut. Nga trajtimi i rasteve të dëmtimit të tokës del se më shumë toka bujqësore është shkatërruar përgjatë autostradës Lushnjë-Fier. Gjatë pesë viteve të fundit duhet thënë se në asnjë nga rastet e konstatuara me dëmtim toke nuk është bërë rigjenerimi i saj. Kjo tregon se gjoba dhe ndëshkimi ka qenë thjesht në formë presioni. Pritet që ndjekja penale të zbusë këtë fenomen.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›