Dokumente false në port, katër kosovarë në pranga
Durrës
Tre prej tyre kishin leje qëndrimi gjermane. Ishin nisur për në Itali
Dyshimi për dokumente false të paraqitura në vendkalimin kufitar të Durrësit ka çuar drejt e në qelitë e paraburgimit katër kosovarë, mes të cilëve dhe një grua. Ndërkaq tre të tjerë po procedohen penalisht në gjendje të lirë për të njëjtën vepër penale. E ndërsa tentojnë të lënë pas papunësinë dhe pamundësinë për të siguruar jetesën në vendin e tyre, përballen me prangat shqiptare dhe përpos kësaj dhe me kërkesat për shuma jo të vogla për të mbyllur procedimin penal të nisur ndaj tyre. Një ditë më parë, shërbimet e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve Shkodran Kryeziu, 22 vjeç, nga fshati Rugovë i Gjakovës, Miftar Limani, 20 vjeç, nga fshatin Goden i Vitisë, Ambroz Luçia, 37 vjeç nga Gjakova dhe Ganimete Gashi, 42 vjeçe nga fshati Landovicë i Prizrenit. Të katërt janë ndaluar ndërsa tentonin të imbarkoheshin në tragetet e linjës Durrës-Bari. Për tre prej tyre është dyshuar se zotëronin leje qëndrimi gjermane të falsifikuara në emër të tyre, ndërsa Luçia kishte në përdorim një leje qëndrimi zvicerane, e cila dyshohet gjithashtu të jetë false. Në cilësinë e provës materiale të katërve iu sekuestruan dokumentet dhe nisën procedurat për falsifikim të dokumenteve. Ndërkaq për tre personat e tjerë, që po hetohen në gjendje të lirë, situata ka qenë disi më ndryshe. Ata kanë përfituar nga ngjashmëria fizike me persona të tjerë, përfshirë dhe familjarë të tyre dhe kanë paraqitur pranë autoriteteve kufitare pasaportat me gjeneralitetet jopersonale. Policia deklaroi se hetimet për falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave a vizave nisën dhe për shtetasit B.L., 22 vjeç nga fshatin Vërrnik i Prishtinës, D.H, 37 vjeç nga Bellanica e Malishevës i cili po përdorte një pasaportë jugosllave me vizë gjermane të të vëllait, si dhe F.A, 23 vjeç nga fshati Katund i Ri i Pejës që gjithashtu përdorte një dokument gjerman udhëtimi të të vëllait. Ndërkaq të gjitha dokumentet e sekuestruara do t'i nënshtrohen verifikimeve, ndërsa një nga të proceduarit ka njoftuar familjen se i kanë kërkuar një sasi prej 500 mijë lekësh të reja për të mbyllur çështjen e nisur ndaj tij.
#