I mohon dashurinë, rreh barbarisht 19-vjeçaren
Durrës
E rrëmben me makinë dhe më pas e godet me shkop në një rrugë të braktisur fshati. Pranga agresorit 32-vjeçar
Një 19-vjeçare nga qyteti bregdetar i Durrësit ka rënë pre e dhunës barbare të një bashkëqytetari, i cili më pas është ndaluar nga policia lokale. I arrestuari është një 32-vjeçar nga Durrësi, Leonard Kërtusha, i cili tashmë akuzohet dhe do të përgjigjet për veprat penale të “rrëmbimit” dhe “dhunim personi”. Burime nga policia bëjnë të ditur se shkak i dhunës së ushtruar ndaj të resë ka qenë mospranimi i vazhdueshëm që ajo i bënte deklaratave të dashurisë së 32-vjeçarit. Mësohet se djali e kishte ndaluar disa herë në rrugë vajzën, por ajo nuk ka pranuar të krijonte lidhje me të. Refuzimi i vazhdueshëm duket se nuk është pranuar aq lehtë nga “adhuruesi” i saj. Mesditën e së dielës, 32-vjeçari e ka ndeshur në rrugë vajzën dhe më pas e ka marrë me forcë në makinën e tij, tip “Mercedes Benz”, duke e nxjerrë jashtë qytetit. Mësohet se i riu durrsak jetonte në të njëjtën lagje me 19-vjeçaren.
Pasi e ka ndaluar mjetin në një zonë të pabanuar të fshatit Arapaj të Komunës Rrashbull, ai ka nisur ta dhunojë duke e goditur me shkop në pjesë të ndryshme të trupit dhe kokë, duke i shkaktuar plagë dhe hematoma të mëdha. Më pas ai e ka lënë të lirë të kthehej në shtëpi. Sapo vajza ka shpëtuar nga duart e agresorit, ka shkuar në komisariatin e policisë dhe ka denoncuar dhunën e pësuar nga 32-vjeçari Kërtusha. Me të marrë dijeni për ngjarjen, uniformat blu të Durrësit janë vënë në lëvizje, duke bërë të mundur kapjen e tij, ndërsa e dëmtuara është dërguar për mjekim në spitalin rajonal të qytetit. E reja po mjekohet për hematomat dhe ende ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha. Policia lokale bëri të ditur zyrtarisht se e ka klasifikuar ngjarjen, si ngjarje e ndodhur për motive të dobëta.
Ndërkohë që është saktësuar se 19-vjeçarja me emrin Monika, është marrë brutalisht në makinë nga i arrestuari, rreth orës 14:00 të ditës së diel në lagjen ku të dy banojnë, ndërsa kapja dhe arrestimi i të dyshuarit si autor është bërë në orën 10:00 të së hënës. Të njëjtat burime saktësojnë se në makinën e të riut është gjetur një shkop 80 centimetra i gjatë, me të cilin dyshohet se 32-vjeçari Kërtusha ka ushtruar dhunë mbi vajzën. Shkopi është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Ndërkaq mësohet se i arrestuari njihet nga policia si kontingjent krimi dhe se ai ka qenë i dënuar më parë për vjedhje.
Burimet policore thanë se materialet procedurale, për veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë, shoqëruar me dhunë fizike, i kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit.
#