Aksidentohet duke nxjerrë gurë dekorativë, 43-vjeçari në rrezik për jetën
Berat
Punëtori është mbuluar nga një masiv dherash dhe gurësh. I dëmtohet shtylla kurrizore
Puna për nxjerrjen e gurit dekorativ në pllajën e malit Tomorr është bërë sërish shkak aksidentesh. Një 43-vjeçar ka qenë viktima e radhës, e një aksidenti që ndodhi dje në mesditë në afërsi të fshatit Novaj. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se rreth mesditës së djeshme, shkëputja e një masivi dheu dhe gurësh ka zënë poshtë Gramoz Qamon, banor i këtij fshati, i cili punonte në një pjesë të pllajës. 43-vjeçari, pasi ka pushuar rreth 30 minuta gjatë paradites, ka filluar sërish punën. Por burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se një masiv dherash dhe gurësh është shkëputur me shpejtësi nga pllaja, duke zënë poshtë Qamon. Në ndihmë i kanë ardhur menjëherë punëtorët e tjerë, të cilët me një mjet nga firmat e shumta që punojnë në këtë zonë kanë mundur ta transportojnë atë pa vonesë drejt spitalit të Beratit. Burime nga Reparti i Urgjencës së këtij spitali bëjnë me dije se Qamo mbërriti rreth orës 15:00 të së hënës dhe pas vizitës së parë është konstatuar se ai ka pësuar dëmtime serioze në shtyllën kurrizore, si pasojë e rënies mbi trup të një peshe dheu dhe gurësh. Gjendja e tij shëndetësore, sipas mjekëve, paraqitet e vështirë dhe pas marrjes së ndihmës së parë shëndetësore, bluzat e bardha beratase vendosën transportimin drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për një ndihmë më të specializuar. Drejt vendit të ngjarjes ka mbërritur më pas dhe policia, ekspertët e së cilës kanë marrë në pyetje shumë nga punëtorët që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Po punohet për të mësuar shkaqet e plota të këtij aksidenti. Nga deklarimet e punëtorëve mësohet se 43-vjeçari Qamo punonte privatisht për nxjerrjen e gurit dekorativ. Sipas hetimeve të para, shkëputja e masivit të dheut dhe gurëve është shkaktuar nga shfrytëzimi pa kriter dhe i pa studiuar i shtresës së gurit, në fshatin Novaj. Ky është aksidenti i parë i ndodhur gjatë këtij viti në pllajën e Tomorrit, ndërsa vitin e kaluar tre persona humbën jetën nga mungesa e kushteve teknike në punë dhe shfrytëzimit të pakontrolluar të pllajës së malit.
#