Kanos me armë të vëllain, arrestohet 60-vjeçari
Fier
Policia: Konflikti për pronën
Konflikti për pronën për pak ka shkaktuar një tragjedi familjare në një fshat të Fierit. Një 60-vjeçar nga fshati Gorishovë, Komuna Cakran është vënë në pranga, pasi ka kanosur me automatikë të vëllain. Sipas policisë 60-vjeçari ka qëlluar me automatik në drejtim të të vëllait, por fatmirësisht pa e plagosur. Motiv i sherrit mes vëllezërve ka qenë konflikti për pronën. Ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Burimet zyrtare të Policisë së Fierit bëjnë të ditur për gazetën “Shqip” se, duke aguar e hëna, është prangosur 60-vjeçari Tefik Muçaj, për veprat penale të “kanosjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Mësohet se konflikti mes vëllezërve Muça ka nisur prej vitesh. Tefiku dhe i vëllai, Rrapi, pas ndarjes së tokës bujqësore në bazë të Ligjit 7501 morën sipërfaqe pranë njëra-tjetrës. Pas një debati të mëparshëm, dy vëllezërit Muçaj kanë vendosur që të ndanin tokën nëpërmjet një gardhi. Por dhe pas kësaj, grindjet kanë vijuar, deri në incidentin e dy ditëve më parë.
#